POLITIKË /

"Mbi 217 mijë euro për reklama online", shpenzimet për fushatën e 11 majit, ja cili kandidat pagoi më shumë

Shkruar nga Versus

"Mbi 217 mijë euro për reklama online", shpenzimet për

Ditën e djeshme OSBE-ODIHR publikoi raportin për zgjedhjet parlamentare të 11 majit ku përveç kritikave rreth gjuhës së armiqësisë mes partive politike dhe përdorimin e administratës nga ana e Partisë Socialiste, nënvizoi se procesi i votës së diasporës u menaxhua mirë duke qenë se ishte edhe hera e parë që organizohej.

Në detajet e zbardhura nga dokumenti prej dhjetëra faqesh i publikuar nga prezenca e OSBE në Shqipëri vihen re kritika edhe sa i takon financimit të fushatës për partitë politike pasi nuk janë miratuar reforma gjithëpërfshirëse.

“Në vitin 2025, kufiri i vetëfinancimit u rrit nga 1 milion lekë në 3 milion lekë (rreth 30,000 euro). Donacionet, përfshirë ato në natyrë, janë të kufizuara në 1 milion lekë (rreth 10,000 euro) për donacion, pa një kufizim në shumën totale”- thuhet në raport. Kjo bëri që kandidatët kryesisht të forcave opozitare të financonin personalisht sponsorizime të postimeve nëpër rrjetet sociale.

Sipas monitoruesve të ODIHR, në total për sposorizime të postimeve me përmbajtje politike janë shpenzuar mbi 217 mijë euro nga ana e kandidatëve për deputetë. Pjesa më e madhe e këtyre postimeve u përdorën nga PD dhe partitë e tjera opozitare. Mes kandidatëve Agron Shehaj është ai që ka shpenzuar më së shumti për sponsorizime online. Ndërsa më pas vijnë Këlliçi i PD-së dhe Vullnet Sinaj i PS-së.

“Sipas Meta Ad Library, nga 9 prilli deri më 8 maj, kandidatët shpenzuan gjithsej deri në 21,410,830 lekë (217,870 euro) për reklama politike. Nga këto, PD shpenzoi 2,746,960 lekë (27,950 euro), Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut 1,173,220 lekë (11,940 euro), Lëvizja Shqipëria Bëhet 490,050 lekë (4,990 euro). Ndër kandidatët, Agron Shehaj, kreu i Partisë së Mundësive, kishte shpenzimet më të larta me 1,909,780 lekë (19,430 euro), Belind Këlliçi i PD-së me 763,100 lekë (7,770 euro) dhe Vullnet Sinaj i PS-së me 748,960 lekë (7,620 euro)”- theksohet në raport.

Ajo çfarë vihet re është fakti se nuk ekzistojnë pagesa të bëra online nga PS përveçse deputetit Vullnet Sinaj i cili ka bërë sponsorizime të postimeve të tij online. Mëgjithatë ODIHR thotë se PS ka përdorur një rrjet të gjerë patronazhimi kundër standarteve duke e kthyer në detyrim shpërndarjen dhe pëlqimin e postimeve të politikanëve nga ana e nënpunësve të administratës.

PD e konsideroi raportin e OSBE si një provë për faktimin e pretendimeve të saj lidhur me zgjedhjet e 11 majit që i cilëson si "farsë zgjedhore". Versus.al

Poll