Ministri i Infrastrukturës dhe Energjitikës, Enea Karakaçi foli para mediave lidhur me projektet infrastrukturore në vend. Mes të tjerash, u pyet edhe për deklaratën e tij të bërë disa ditë më parë ku bëri me dije se mbikalimi i Rinasit do të shembet. Ai tha se kjo gjë do të ndodhë pas përfundimit të sezonit veror me qëllim zgjerimin e këtij mbikalimi.
Ndërsa sa u takon mbikalimeve për këmbësorët, ai tha se do të ketë diskutime për t’i shtuar më shumë nga sa kanë qenë.
“Është evidente që një mbikalim përballë një qendre tregtare po ndërtohet. Jemi krejtësisht të hapur që të ulemi dhe të shohim nëse duhen mbikalime shtesë. Kanë qenë tre mbikalime, por kanë qenë edhe të papërdorura.
Nëse duhen të tjera, të ulemi të diskutojmë, sepse mund të shtohen rrugës. Puna po ecën dhe faza pasardhëse është në punime të avancuara. Plani është se duhet të demolohet mbikalimi i Rinasit dhe të bëhet i ri me 4 korsi. Do të nisë pas sezonit veror, sepse tani ka fluks. Gjatë kësaj periudhe po punohet për segmentin te mbikalimi i Kasharit. Po punohet edhe nyjet që ndihmojnë subjektet tregtare dhe qytetarët”, tha Karakaçi. Versus.al

