
Mbikalimi i Rinasit do të shembet për t'i hapur rrugë transformimit me një mbikalim me 4 korsi dhe shtimin e 2 korsive në secilin kah në rrugën Tiranë-Durrës.
Lajmin e dha ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi i cili gjatë konferencës për mediat, bëri me dije se financimi do të kryhet nga buxheti i shtetit. Sa i takon trafikut të zhvendosur poshtë mbikalimit të Rinasit, Karakaçi tha se po punohet që shtimi i 2 korsive për secilin krah të jetë edhe për 2 kilometra të tjera.
"Sa i përket Tiranë-Durrës, ne hapëm korsitë në drejtim të Rinasit dhe drejtim të Tiranës. Unë në fakt e di që patjetër që hinka krijohet përsëri, por unë si çdo qytetar tjetër kaloj në atë rrugë dhe mund të them që trafiku është shumë i ndryshuar. U detyruam të ngushtojmë një korsi, u rregullua me ndërhyrje të menjëhershme të ARRSH duke liruar dhe një korsi tjetër.
Ne kemi kontratën në fuqi dhe çdo qytetar kur kalon në këtë rrugë mund të shohë vazhdimin e punimeve. Shembja e mbikalimit të Rinasit, krijimi i një mbikalimi me katër korsi dhe vazhdimi me 2 km të tjera i korsive shtesë që janë duke u punuar dhe kjo do t’i japë dhe një shfryrje të madhe trafikut. Sa kohë që këto financime po bëhen nga buxheti i shtetit do të jetë pa pagesë”, tha Karakaçi.
Më 28 prill të këtij viti u hap për qarkullim segmenti i zgjeruar prej 6 km në rrugën Tiranë-Durrës, pas 2 vitesh punimesh. Versus.al

