
Mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike nisi me një deklaratë të fortë politike nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili vendosi një vijë ndarëse të pakapërcyeshme mes opozitës dhe mazhorancës socialiste. Në fokus ishte zgjedhja e Avokatit të Popullit, proces që Berisha e cilësoi si një manipulim të pastër politik dhe institucional nga Edi Rama.
Berisha pranoi publikisht se PD kishte bërë një gabim me firmat e dhëna, duke e quajtur atë një nxitim të papranueshëm në një klimë të ngarkuar politike. Ai theksoi se firmat nuk kishin për qëllim zgjedhjen e kandidatit, por vetëm përfshirjen e tij në listën e kandidatëve për t’u shqyrtuar në Komisionin e Ligjeve. Megjithatë, sipas tij, Rama i përdori këto firma për të imponuar emërimin, duke ndjekur një praktikë të vjetër të shkeljes së procedurave kushtetuese dhe ligjore.
“Firmat u dhanë dhe u tërhoqën me firmë. Ishin gabim dhe për këtë u kërkua ndjesë publike,” deklaroi Berisha, duke iu përgjigjur drejtpërdrejt kritikëve dhe atyre që, sipas tij, janë të angazhuar në një fushatë sistematike urrejtjeje ndaj opozitës.
Në një gjuhë të ashpër politike, kryedemokrati akuzoi Ramën se ka emëruar kryetarë partie fiktivë, të cilët ditën shfaqen si opozitë dhe natën negociojnë me pushtetin. Sipas Berishës, zgjedhja e Avokatit të Popullit është shembulli më i qartë i kapjes së institucioneve dhe përdorimit të tyre për interesa politike.
Mesazhi politik ishte i prerë: Partia Demokratike nuk do të pranojë asnjë formë bashkëpunimi me Partinë Socialiste. Kryesia e PD-së, tha Berisha, ka vendosur ndërprerjen totale të çdo bashkëpunimi me deputetë socialistë dhe me vetë Edi Ramën, duke përjashtuar pjesëmarrjen në çdo proces që lidhet me kandidatura apo emërime institucionale.
Në fund, Berisha e lidhi këtë zhvillim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të cilin e cilësoi si goditjen më të rëndë ndaj luftës kundër korrupsionit në Shqipëri dhe më gjerë. Sipas tij, ky vendim i ka dhënë Ramës “licencën e vjedhjeve publike” dhe ka dëshmuar se drejtësia është kthyer në instrument të pushtetit ekzekutiv. / VERSUS

