Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ishte sot i pranishëm në Elbasan ku takoi qytetarë të ndryshëm në kuadër të festës së Ditës së Verës e cila njihet si traditë e veçantë e kësaj zone veçanërisht.
Edhe në këtë ditë feste, Berisha nuk la pa përmendur ofertën e PD dhe koalicionit opozitar në këto zgjedhje, ndërsa thumboi edhe partitë e reja që garojnë për herë të parë. Ai u bëri thirrje qytetarëve të mos i votonin duke i cilësuar si “paterica të Edi Ramës”.
“Me 11 maj ne shkojmë besimplotë, shkojmë me programin më të mirë për të ndryshuar jetën e shqiptarëve. Shkojmë me programin më të mirë për një arsim cilësor dhe një shëndetësi cilësore.
Me aleancën më të gjerë elektorale që kemi firmosur ndonjëherë. E gjithë qendra e djathtë, i gjithë fluksi është bashkuar.
Do t’u them qytetarëve, asnjë votë për patericat e Edi Ramës, sepse ata u ftuan botërisht, pavarësisht nga mendimet e ndryshme, nëse e ndjeni veten opozitarë, bashkohuni me ne në aleancë. Mirëpo ata nuk i lejuan problemet e tyre ndaj dhe votat për ta janë vota për Edi Ramën, de facto”- tha Berisha.
Një përgjigjie pati sërish edhe për largimin e deputetit Dashnor Sula i cili pasi u la në listën e hapur të kandidatëve, zgjodhi të shkonte si pjesë e listave të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”.
“Ai bëri zgjidhjen e tij. Midis betejës në sheshin e burrave, zgjodhi të ikte nga sheshi. S’kam çfarë të them për të. Bëri gabim, por prapë ka kohë ta mendojë”- shtoi kryedemokrati. Versus.al








