Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji gjatë mbrëmjes së djeshme në emisionin “Real Story” ka deklaruar se opozita ka nevojë për një riformatim të thellë për t’u përballur me qeverinë “Rama 4”.
Përsa i takon postit të tij politik, Salianji tha se nuk ka ambicie për poste aktualisht, ndërsa theksoi nevojën për të patur një grup gjithëpërfshirës brenda PD që të arrijë të mund Ramën edhe pa patur votat e Sali Berishës.
“Duhet të bëjmë një opozitë se si të mundim Edi Ramën, pa votat e Sali Berishës që të flasim troç apo jo. Ne duhet të gjëmë të gjithë mekanizmat e duhur që t’i japim drejtim kësaj situate. Duhet të gjejmë mekanizmat si shoqëri, që të këtë demokraci të shëndetshme dhe të ketë institucione dhe qeveria që kontrollohet dhe opozitë të shëndetshme që bën kontrollin e plotë.
PD nuk është sot në ditët më të mira, sepse ndryshe nuk do bënim këtë diskutim. Duke u përmirësuar PD i shërbejmë interesit publik. Nëse do kisha ambicie për një funksion tani do kisha dalë do kisha lëvizjen dhe pastaj do vija këtu. Unë e bëj politikën në atë formë, që nis lëvizjen dhe pastaj vij e diskutojmë se pse po e bëj këtë lëvizje. Në këtë moment unë jam duke diskutuar dhe takuar demokratë të tjerë, të cilët kanë po njësoj, mbase nuk kamë marrë kosto dhe kanë bërë sakrificë dhe të kenë bërë burg, sepse ai ishte një burg jo për interesin tim personal, por për kauzën e opozitës. Nuk jam në atë fazë, që unë dua të kem një funksion.
Jam në fazën, që PD duhet t’i përfshijë të gjithë, qoftë dhe pjesë e tjera të mozaikut opozita për të gjetur mekanizmat e duhur që të fitojmë dhe në këtë kuptim nuk mund të flas sot para, ndërkohë që nesër ka vendimmarrje për aksionin e opozitës në strukturat e partisë. Opozita nuk ka luksin të bëjë me gafa të tilla siç i la në tavolinë Ramës një tufë me mandate. Unë do jem në jetën politike padiksutim duke kontribuuar si opozitar gjatë gjithë kohës."-tha Salianji.
Ish-deputeti u lirua me kusht më 8 korrik të këtij viti pasi vuajti dënimin me 1 vit burg për kallëzim të rremë mbi çështjen e njohur si “Babale” ku akuzonte ministrin e Brendshëm asokohe Fatmir Xhafën se vëllai i tij Geron Xhafa pavarësisht se ishte i dënuar në Itali për drogë, jetonte i lirë në Vlorë dhe vazhdonte të merrej me trafikun e drogës. Versus.al







