POLITIKË /

Ndalimi i TikTok, Rama: Nuk do zgjasë më shumë se një vit, jemi të kënaqur me rezultatin

Kryeministri u shpreh i kënaqur me rezultatin pas takimeve konstruktive me përfaqësues të platformës.

Shkruar nga Versus
Ndalimi i TikTok, Rama: Nuk do zgjasë më shumë se një vit,
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median “Politico” ku ka folur për mbylljen e rrjetit social TikTok, vendim i ndërmarrë në muajin mars pas ngjarjes së ndodhur në tetor të 2024-ës ku një 14 vjeçar u vra me thikë nga bashkëmoshatari pas një sherri në rrjetet sociale.

Rama ka deklaruar se ndalimi i Tik-Tok-ut nuk do të zgjasë më shumë se një vit ashtu siç ishte caktuar në vendimin e ndërmarrë. Sipas tij mbyllja e TikTok-ut ka qenë mjaft efektive dhe u shpreh i kënaqur me rezultatin.

"Jemi të kënaqur me rezultatin. Ne kemi krijuar partneritetin dhe shpresoj që në javët ose muajt e ardhshëm do t'ia zbulojmë planin popullit shqiptar, siç e premtuam"- u shpreh kryeministri.

Ndërsa shtoi se ishte i befasuar nga reagimi i TikTok pas vendimit fillestar të Shqipërisë për të ndaluar platformën.

"Sepse në fillim, për shkak se ishte normale të mendonim se ata do të na luftonin, ata do të hakmerreshin ndaj nesh, ata do të na ngacmonin. I takova vetë dhe mbeta shumë i impresionuar nga qëndrimi i tyre. Ata po i dëgjonin me shumë kujdes pikat tona", tha Rama.

Nga ana tjetër media e huaj solli në vëmendje faktin se opozita e ka konsideruar mbylljen e TikTok-ut një vendim të marrë nga Rama në prag të zgjedhjeve të 11 majit. Ndërsa efekti i dhënë lë për të dëshiruar pasi vrasjet mes të miturve kanë vijuar për shkak të sherreve në rrjete sociale. Shumë prej tyre vijojnë ta përdorin TikTok duke përdorur VPN. Versus.al

Poll