
Kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist nënvizoi nevojën e transformimit të administratës së Kuvendit ndërsa tha se do të ketë një godinë të re për organin legjislativ.
Në vazhdim, u kërkoi deputetëve të partisë Socialiste që të ishin të pranishëm në terren me takime me qytetarët duke shtuar se kur të japin llogari në vitin 2027 për zgjedhjet vendore, t’u thonë shqiptarëve se i përmbushën detyrat për mbylljen e negociatave.
“Duhet ta vazhdojmë me administratën e kuvendit e cila kemi kohë që themi se duhet të modernizohet dhe duhet të mbështetet nga një transformim i rëndësishëm teknologjik, punë për të cilën me siguri do flasë kryetari dhe nga ana tjetër duhet të vendosim piketat për godinën e re të parlamentit të Shqipërisë. Këto bashkë shkojnë në të njëjtin drejtim. Natyrisht asnjëra nga këto nuk pengojnë asnjë prej punëve të përbashkëta që bëjmë.
Shërbejnë për t’u dhënë më shumë energji punës së deputetëve të cilët duhet të mos e ndërpresin, por ta artikulojnë edhe më mirë punën që vijuan pas zgjedhjeve. Ribraktisja e territorit si zakonisht në të shkuarën, nuk duhet të jetë opsion për këtë grup parlamentar. Sa i përket kësaj do të flasim më konkretisht në asamblenë e ardhshme. Dua ta theksoj këtë pasi besoj se 83 mandatet e kërkojnë këtë me një ngulm të panjohur më parë. 83 mandatet imponojnë shumë gjëra për këtë forcë politike duke nisur nga detyrimi që në fundin e 2027-ës ne të dalim para atyre që na i dhanë 83 mandate dhe t’u themi që ne e bëmë atë për të cilën iu kërkuam votën, i mbyllëm negociatat me BE, i mbaruam detyrat tona”- u shpreh Rama. Versus.al


