Zëvendës kryeministrja Belinda Balluku ishte e pranishme në takimin me fermerët në Divjakë ku u fol për skemën kombëtare të 2026-ës. Ajo vuri në dukje faktin se fermerët e zonës kanë qenë të mirëkuptueshëm për përmbytjet si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, ndërsa nënvizoi se kishte parë nga afër kushtet e tyre.
“Fryma në Divjakë edhe Lushnje edhe kur kemi problematika me përmbytjet është krejt ndryshe. Njerëzit janë të mirëkuptueshëm. Më është dashur për shkak të punës time si drejtuese politike e qarkut që të hyj në serat tuaja, të njoh detaje të lidhura direkt me tokën, të marr mësime nga më të mirat këtu dhe të kuptoj se edhe tokat tuaja ranore e përballojnë më mirë përmbytjen sepse e kanë filtrimin më të shpejtë”- tha Balluku.
Teksa foli për skemat e mbështetjes, Balluku tha se sot fermerët janë më të qartë sesi të përfitojnë prej kësaj politike në mbështetje të bujqësisë dhe përmendi se gjatë vitit që lamë pas 600 milionë lekë janë vënë në dispozicion të fermerëve nga ana e shtetit.
“Ju duhet të jeni të gjithë të qartë se qeveria shqiptare është e angazhuar maksimalisht për mbështetjen e fermerëve dhe blegtorëve. Mjafton t’i referohemi shifrave nga viti në vit për të parë sesi ka ndryshuar kjo mbështetje dhe sesi skemat e mbështetjes sot arrijnë të asimilohen shumë më mirë nga fermerët.
Në vitin 2025 mbi 600 milionë lekë janë vënë në dispozicion të skemave dhe janë ezauruar në 95% të tyre duke treguar se edhe skemat janë më të kuptueshme dhe aplikuesit dinë ta kryejnë procesin më mirë”- tha më tej numri dy i qeverisë duke shtuar se “Buxheti i vitit 2026 është më i madhi i vendosur në dispozicion nga qeveria për bujqësinë, blegtorinë e peshkimin”. Versus.al

