Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ku u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe, çështjet rajonale dhe zhvillimet globale me interes të përbashkët.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës turke, Presidenti Erdogan theksoi rëndësinë e miqësisë dhe dialogut me Shqipërinë, duke vlerësuar marrëdhëniet e ngushta që ekzistojnë mes dy vendeve. Ai u shpreh i bindur se bashkëpunimi mes Tiranës dhe Ankarasë do të vazhdojë të forcohet në periudhën në vijim.
Erdogan gjithashtu përgëzoi Shqipërinë për organizimin e samiteve të Komunitetit Politik Evropian dhe Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, duke i cilësuar ato si dëshmi të profilit gjithnjë e më të spikatur të vendit në arenën ndërkombëtare.
Në prag të zgjedhjeve parlamentare që mbahen më 11 maj, presidenti turk shprehu urimet e tij që procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe demokratike, duke konfirmuar interesin e vazhdueshëm të Turqisë për stabilitetin dhe zhvillimin e Shqipërisë. /Versus.al/







