POLITIKË /

Nga Braimllarët tek Monika Kryemadhi, Ilir Meta autointervistë nga burgu

Meta pretendon se nuk i është lejuar të zhvillojë një konferencë për shtyp, me argumentin se regjimi i kryeministrit Rama dhe “SPAK-u i kapur” po i mbyllin çdo kanal komunikimi me opinionin publik. Ai e quan këtë situatë një “censurë totale”.

Shkruar nga Versus
Nga Braimllarët tek Monika Kryemadhi, Ilir Meta autointervistë nga
Ilir Meta

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i arrestuar më 21 tetor 2024 dhe aktualisht i pandehur për dy dosje të mëdha – lobimin në SHBA dhe çështjen CEZ-DIA – ka zgjedhur të komunikojë me publikun përmes një autointerviste nga qelia e paraburgimit, duke thyer heshtjen me një format krejt të pazakontë: vetë bën pyetjet dhe vetë jep përgjigjet.

Meta pretendon se nuk i është lejuar të zhvillojë një konferencë për shtyp, me argumentin se regjimi i kryeministrit Rama dhe “SPAK-u i kapur” po i mbyllin çdo kanal komunikimi me opinionin publik. Ai e quan këtë situatë një “censurë totale”.

Në intervistë, Meta reagon ndaj hetimit për lobimin në SHBA, duke këmbëngulur se pagesat janë bërë me vendime të Kryesisë së LSI-së së asaj kohe dhe se ai personalisht nuk ka qenë përgjegjës për transaksionet konkrete. Ai përmend me tronditje faktin se SPAK ka zbuluar një kartë bankare të përdorur për pagesa nga ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi – një zbulim që ai e quan “shokues”.

Gjithashtu, kreu i Partisë së Lirisë lëshon akuza të forta ndaj ish-bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, Endrit dhe Eriol Braimllari, për të cilët thotë se “kanë humbur kujtesën” dhe janë “konvertuar në rilindas” pas kontakteve me SPAK-un.

“Kur në burg nuk të fut Fan Noli, por një hajdut me çizme, je shumë më i nderuar,” shkruan ndër të tjera Meta, duke e përkthyer arrestimin e tij si një certifikim politik përballë regjimit.

Pyetje: Ndërkohë duket sikur po ju tradhtojnë bashkëpunëtorët tuaj, si përmendet ju edhe dëshmia e Eriol Braimllarit, kushurit tënd, edhe me Endrit Braimllarin, që ju është sulmuar para disa ditësh me një postim në rrjetet sociale.

Përgjigje: Së pari dua të shpreh mirënjohjen e thellë për shumë miq besnikë dhe me karakter me mbiemër Braimllari, që nga themeluesit e LSI në 2004 e deri te Elisedi, që s’kishte lindur atëherë dhe është ndër të rinjtë më aktivë sot.

Endriti është rasti kur ai tallet me SPAK-un publikisht pasi është “graduar” nga Ramaduro Nënkryetar i Këshillit që nuk ekziston, si vetë inceneratori i Tiranës.
Reagimi im erdhi kur e dëgjova live te Ola Bruko, pa u skuqur faqja, se as ishte thirrur në SPAK dhe as kishte firmosur për lobimet e LSI.

Nuk po u besoja veshëve, sepse për herë të parë, emrin e Z. Sotir Kllapi e mësova nga Endrit Braimllari në Jalë, në fund të gushtit 2022, kur unë isha rikthyer në krye të Partisë së Lirisë.

Atë ditë zyra e Fugës shpërndau një lajm që SPAK-u kishte hapur një hetim për mua për të verifikuar se mos unë kisha gënjyer për mbiemrin tim, me apo pa “J”, ngaqë ishte shpikur dosja e Sigurimit të Shtetit për mua.

Ç’është ky Sotir Kllapi, e pyeta unë, ngaqë lajmi ishte se ky po merrej me këtë çështje “madhore”.

“E njoh unë”, tha Endriti, “se ky ka dy mbiemra për vete, se jemi një moshë, e kemi patur shoqëri, por është transformuar krejt”.

Pse e pyes unë? “Po ky,” tha, “ishte kur më thirrën mua në SPAK për të më pyetur për lobimet dhe më qëndronte shumë rëndë”.

Po çfarë probleme ngrenë ata për lobimet, i them unë?

“Asgjë mo shef, ato shpifjet e njerëzve të Ramës. Ne çdo gjë e kemi bërë sipas ligjeve dhe me KQZ”, - u përgjigj ai.

Edhe pse kujtesën e kam të hekurt, thashë me vete pa t’i hedh një sy dosjes ku unë jam marrë i pandehur.

Jo një firmë, por tre firma ishin të Endrit Braimllarit në atë dosje.

Më e bukura, në faqen 117, ku janë edhe firmat e tre prokurorëve, i pyetur për një faturë 20 mijë dollarë që ai kishte autorizuar në 2018-2019 për t’ju paguar një kompanie, ai nuk e mbante mend as arsyen e transferimit të shumave, as nuk kishte dijeni nëse mes LSI dhe kompanisë kishte kontratë dhe se ai as kishte dijeni se cili ishte personi i ngarkuar me ndjekjen e ecurisë së kontratave që LSI kishte me kompaninë që ky autorizonte me firmën e tij pagesën.

Unë edhe sot e kësaj dite e mbaj mend se si janë paguar 15 mijë dollarë për “McKeon Group” në mbledhjen e Kryesisë dhe personin e autorizuar nga Kryesia për të bërë pagesën në bankë, sipas ligjit e raportuar në KQZ.

Pyetje: Çfarë pune më të rëndësishme paska patur ky në atë kohë, 2018-2019, kur ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i LSI, që s’paska mbajtur mend pse ka hedhur firmën dhe për një faturë 20 mijë dollarë?

Përgjigjje: Ndërsa tani, pasi është konvertuar në rilindas, gënjen publikisht në TV e thotë se as jam thirrur në SPAK e as kam firmosur për lobimet.

Ndërsa me Eriol Braimllarin, kushuririn e tij, kemi rastin kur SPAK-u tallet me veten, pra me SPAK-un.

Në relacionin absurd prej 32 faqesh, dërguar Gjykatës për të justifikuar mbajtjen time në masë ekstreme paraburgimi, SPAK përdor dëshmitarin Eriol Braimllari, i cili gjoja rrëzon pretendimet e mia se s’kam lidhje me Adrian Shatkun, pasi ky dëshmitar paska deklaruar se për herë të parë e ka njohur Adrian Shatkun në janar 2017, ku ka qenë në SHBA me mua si Kryetar Kuvendi.
Po kështu, ai deklaron se është takuar të paktën një herë me Adrian Shatkun.

Së pari, kjo deklaratë është pa kuptim, sepse unë i kam sqaruar prej dy vitesh rrethanat e njohjes me Adrian Shatkun.

Por problem është se ky Erioli, në faqen 112 të dosjes të marrjes time si i pandehur, del qartë nga vetë SPAK-u disa herë, direkt dhe indirekt, se Eriol Braimllari jo vetëm shoqëron që nga viti 2013 John Moreirin vazhdimisht në Shqipëri, e provuar dhe vërtetuar nga SPAK-u, që është i dërguar nga Adrian Shatku, por e shoqëron edhe në Hotel Rogner, ku sipas SPAK-ut, përsëri rezulton se ka paguar A. Shatku.

I përmenda këto inkoherenca të SPAK-ut vetëm për të treguar se si luan politikisht duke përdorur gënjeshtarë, të cilët i dekonspiron vetë, ndërkohë që dihet nga të gjithë në LSI, që Eriol Braimllari është takuar me dhjetra herë me Adrian Shatkun edhe në Tiranë edhe në SHBA që përpara janarit 2017.

Po kështu, dihet që ai mbante të gjitha komunikimet me kompanitë lobuese që kishte sjellë A. Shatku.

Po kështu dihet edhe që ishte bashkë me Endritin te numërimi i votave për Partinë Socialiste pas 11 majit tani. Për të ardhur keq që të gjithë këta që konvertohen në “rilindas” pasi thirren nga SPAK-u, kanë problem me kujtesën.

Pyetje: Ndërkohë që SPAK-u në relacion thotë se ju keni përfituar kartë nga Adrian Shatku me ish-bashkëshorten tuaj.

Përgjigje: SPAK-u është kaq i obsesuar të më mbajë lidhur mua me Monikën, aq sa edhe në akuzë zyrtare të 26 majit statusin tim e kishin vënë qëllimisht i martuar, kur kjo marrëdhënie nuk ekziston prej kohësh në gjendjen civile të Republikës së Shqipërisë dhe ata e dinë shumë mirë.

Tani nuk u ka mbetur gjë tjetër veç të më ngrenë akuzë edhe si përfitues te inceneratorët me “provat” se Z. Lefter Koka ka qenë ministër i caktuar nga LSI dhe është e pamundur që ai të ketë firmosur pa dijeninë time.

Dhe duke e përmendur Z. Lefter Koka, dua të kujtoj takimin tim pas zgjedhjeve të vitit 2013 me të te klubi i Osmanëve në Maminas, kur i kam thënë se duhet të jetë shumë i kujdesshëm si ministër me ligjin, sidomos me një kryeministër si Rama, për të cilin ligji s’ka rëndësi.

Këtë porosi ua kam dhënë të gjithë njerëzve të cilëve u kemi besuar detyra me përgjegjësi apo që kanë punuar pranë meje.

Këtë porosi ua kam thënë pa u lodhur edhe fëmijëve të mi që kur kanë qenë të vegjël.
Zbulimi i kartës së parë të saj nga SPAK është ngjarja më shokuese në jetën time, por e kam lënë pas tani.

Pyetje: E megjithatë jeni në burg pavarësisht nga ky kujdes i madh me ligjin.

Përgjigje: Lexova te libri i Ilir Ikonomit për Fan Nolin, se kur një prej kundërshtarëve të tij i ishte ankuar pse e kishte futur në burg kur ai ishte kryeministër, Fan Noli i kishte thënë se në Shqipëri një shqiptar i ndershëm duhet të jetë njëherë në burg.
Por kur në burg nuk të fut Fan Noli, por një kryehajdut me cizme, je shumë më i nderuar.

Janë shumë figura politike që e kanë bërë “universitetin” e burgut dhe janë rikthyer më të fortë edhe në një moshë shumë më të madhe, siç është edhe rasti i Presidentit Lula në Brazil.

E rëndësishme është që çdo ditë ta kthesh në një investim për të ardhmen dhe të mos përsëritësh gabimet e së kaluarës.

Tags:

ilir meta

Poll