Tashmë që procesi zyrtar i votimit ka nisur që prej orës 07:00 të mëngjesit, duhet të kemi parasysh dhe të rikujtojmë mënyrën e votimit me qëllim që vota të mos përfundojë e pavlefshme.
Në fletën e votimit, garojnë 11 parti politike dhe poshtë kuadratit të secilës paraqiten emrat e kryetarit dhe kandidatëve të listës së mbyllur si dhe kandidatët e listës së hapur.
Mjafton një shënim me kryq (X) ose (+) në partinë përkatëse dhe votimi mund të quhet i përfunduar me sukses. Gjithashtu në të njëjtën parti politike, mund të shënoni me të njëjtën shenjë kandidatin/en tuaj të preferuar. Çdo shënim tjetër shtesë, e bën fletën tuaj të votimit të pavlefshme.

Kur vota bëhet e pavlefshme
Në rast se zgjedhësi, shënon me kryq apo plus njërën prej partive politike dhe më pas shënon gjithashtu edhe në kandidatin në listë të hapur të ndonjë partie tjetër politike, atëherë vota konsiderohet e pavlefshme.
Pra mund të votoni vetëm partinë, ose edhe të zgjidhni një kandidat në listën e asaj partie. Në raste të tilla, vota juaj është e vlefshme dhe numërohet. Versus.al







