Deputeti demokrat dhe një nga figurat më të vjetra të Partisë Demokratike, Edmond Spaho, ka njoftuar tërheqjen nga politika aktive, pas rezultateve zhgënjyese në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Në një mesazh në rrjete sociale, ai e cilëson këtë proces elektoral si momentin përmbyllës të karrierës së tij parlamentare, pas 35 vitesh angazhim në politikën shqiptare.
“Jam i shokuar me rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit! Këto zgjedhje ishin të fundit të karrierës sime aktive në Parlament,” shkruan Spaho në një postim publik, duke shprehur mirënjohjen e thellë për familjen, mbështetësit dhe qytetarët që e kanë votuar ndër vite.
Ai falënderoi familjen për sakrificat, si dhe strukturat dhe simpatizantët e PD-së në Maliq dhe në qarkun e Korçës, pa të cilët – siç thotë – nuk do të kishte arritur asgjë në politikë.
“Falënderoj me shumë mirënjohje qytetarët që më besuan dhe më votuan gjatë 35 viteve. Ju kërkoj ndjesë që nuk munda të bëj edhe më shumë për ta,” u shpreh ai.
Spaho u bëri thirrje demokratëve të gjejnë forcën për të kapërcyer krizën aktuale dhe uroi që Partia Demokratike të mund të rikthehet si shpresë për Shqipërinë në të ardhmen.
Ky largim vjen në një moment kritik për PD-në, e cila në zgjedhjet e fundit pësoi një humbje të thellë, duke humbur një pjesë të konsiderueshme të bazës elektorale dhe përfaqësimit parlamentar. Spaho ka qenë një nga figurat që i përket brezit të parë të demokratëve pas rrëzimit të komunizmit dhe ka mbajtur disa funksione të rëndësishme në parti dhe në Kuvend. Versus.al/







