
Eurodeputeti grek dhe ish-kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri ka folur mbi rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit.
Beleri është shprehur se edhe sikur “Shën Kozmai” të ishte përballë, sërish nuk do të arrinte dot ta mundte regjimin e Edi Ramës. Sipas tij, organet e PD duhet të bëjnë diçka për të marrë fund kjo tirani, madje dhe duke u dorëhequr.
Beleri u shpreh i bindur se Berisha, si njeri me pervojë në politikë, do të marrë vendimin e duhur.
“Ne si minoritarë dhe ortodoksë kemi Shën Kozmanë, tek i cili besojmë shumë. Ne themi se edhe Shën Kozmai të ishte përballë regjimit të zotit Rama do humbiste. Organet e PD duhet të bëjnë diçka për të marrë fund kjo tirani, pse jo dhe dorëheqje. Duke sqaruar se problemi në këto zgjedhje nuk ishte Berisha, zoti Berisha ishte privilegj. Duhet bërë gjithçka për të ndaluar këtë situatë. Duhet të ndalohet hemorragjia e mendjeve. Pse ikin këta njerëz, nga pasiguria? Sokrati thoshte që gjëja më me vlerë është mendja e njeriut, po ikin mendjet nga Shqipëria, kush do e bëjnë pensionistët apo punonjësit e administratës që janë në lëpirje. Zoti Berisha është njeriu më me përvojë në politikën shqiptare dhe jam i bindur që do bëjë atë që duhet.” – tha Beleri në një intervistë për MCN.
Ai shtoi se arsyet kryesore janë të rezultatit të zgjedhjeve janë ato që thotë OSBE-ODHIR, ndërhyrja e shtetit në zgjedhje, shit-blerje masive votash. Beleri tha se opozita duhet të shikojë nga vetja dhe të mundohet të sensibilizojë faktorin ndërkombëtar për regjimin, duke u shprehur se nuk ka diskutim që zgjedhjet janë vjedhur.
Sa i përket protestës së të premtes, Fredi Beleri u shpreh se ajo nuk ka asnjë vlerë. Ai shtoi se opozita nuk duhet të presë nga LaCivita, nga ndonjë gjerman apo grek, që t’i zgjidhë hallet.







