
Nga dita e nesërme, kreu i KQZ Ilirjan Celibashi ka të drejtë të shpërndajë mandatet e dala nga zgjedhjet e 11 majit dhe të publikojë emrat e fituesve në qarkun e Tiranës ku së fundmi ka lindur një debat mes drejtuesve të koalicionit të partive të reja, Endrit Shabanit dhe Adriatik Lapajt.
Nisma Shqipëria Bëhet të vetmin mandat në të gjithë vendin e ka fituar në kryeqytet ku ka lindur edhe përplasja e madhe mes Shabanit dhe Lapajt. Ky i fundit akuzoi dje haptas Shabanin se nëpërmjet dajës së tij Zeqir Kordhoni i cili nuk pranon të dorëhiqet nga lista e mbyllur, po tenton ta pengojë që të shkojë në Kuvend përkundër marrëveshjes së tyre që ai me më së shumti vota në listën e hapur duhet të marrë mandatin.
Nëse konfikti mes tyre nuk zgjidhet brenda orëve të ardhshme atëherë zyrtarisht Adriatik Lapaj mbetet jashtë Kuvendit. Por në reagimin e tij ai u shpreh i sigurt se Shabani nuk do ia dilte të merrte mandatin nëpërmjet dajës së tij. Sot është mësuar se “asi nën mëngë” i Lapajt është tezja e tij Ana Dajko e cila aktualisht zotëron mandatin e deputetit.
Tashmë situata është e tillë që 60 vjeçarja mund të jetë deputete në rast se daja i Shabanit nuk pranon të dorëhiqet nga mandati i listës së mbyllur ashtu siç ishin dakordësuar para zgjedhjeve. Versus.al







