
Zëvendës kryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjitikës, ishte e pranishme në takimin për investimin e parkut eolik që do të ndërtojë kompania amerikane CËP në Tropojë.
Gjatë fjalës së saj, Balluku tha se një investim i tillë do të përmirësojë sigurinë energjitike të vendit duke ulur varësinë nga importet. Ndërsa shtoi se këto investime sillnin gjithashtu hapjen e vendeve të reja të punës duke ndihmuar ekonominë lokale.
“Këto investime private kanë një impakt të drejtpërdrejtë në sektorin energjitik shqiptar duke kontribuar në rritjen e prodhimit vendas të energjisë, ulin varësinë nga importet, përmirësojnë sigurinë energjitike të vendit dhe në të njëjtën kohë këto investime nuk janë thjesht projekte energjitike, por investime që sjellin vende pune. Investime që rrisin të ardhurat dhe fuqizojnë ekonominë lokale. Shqipëria sot po investon fuqishëm në linjat e transmetimit. Linjat tona tashmë lidhen me të gjithë fqinjët tanë”- tha Balluku.
Sipas saj, sektori energjitik e ndihmon Shqipërinë edhe në integrimin e saj drejt BE, duke nënvizuar se vendi ynë është klasifikuar i pari në nivel botëror për qëndrueshmërinë energjitike.
“Sektori energjitik është gjithashtu motor i qartë në ecurinë drejt integrimit të vendit si një ndër sektorët më të vlerësuar nga ndërkombëtarët duke e klasifikuar Shqipërinë si të parën në nivel botëror për qëndrueshmërinë energjitike si dhe një nga sektorët me ecurinë më pozitive të vlerësuar në raportin e progresit të KE”- shtoi numri dy i qeverisë. Versus.al

