
Në komisionin e Shëndetësisë pati diskutime mbi propozimin për ndryshime në projektligjin për Inspektoriatet. Deputetët e opozitës parashtruan pikëpamjet e tyre kundër këtij projektligji me argumentin se lihej vend për abuzime.
Opozitarët thanë se riorganizimi i inspektoriateve do të linte hapësirë për emërime politike në prag të zgjedhjeve. Një prej diskutimeve ka qenë edhe fakti që bizneset ankohen për kontrollet e shpeshta dhe bezdisjen nga ana e inspektoriateve. Deputeti i Partisë së Lirisë Petrit Vasili kërkoi që të kishte specifikime më të veçanta për projektligjin e inspektoriateve. Nga ana tjetër, deputetja Albana Vokshi riktheu në vëmendje çështjen e skandalit të 13 ton akulloreve të kontaminuara me lëndë kancerogjene të cilat dyshohet se janë konsumuar në Shqipëri.
“Kryetari i KLSH ngriti shqetësimin për 13,2 tonë akullore të konsumuara. Nuk u mor asnjë masë. Madje Prokuroria e pushoi. Çfarë është bërë me këtë çështje, pasi njeriu që e hetoi dhe denoncoi u akuzua e sulmua nga mazhoranca. A mendoni ju dhe prokurorët për fëmijët, a kanë fëmijë ata. Duhet të mendojmë për fëmijët tanë. Nga informacionet që kemi ka ende produkte të tjera si mishi apo të tjera, me substanca të dëmshme për qytetarët. A keni një qëndrim për këtë çështje, përdorimin dhe konsumimin e produkteve për fëmijë e jo vetëm, të dëmshme dhe të tjera në tregun ushqimor, a keni ndërmarrë juve ndonjë hap si institucion në lidhje me situatat alarmante?”, tha Vokshi.
Më tej hodhi akuza për emërime politike në riorganizimin e inspektoriateve dhe akuzoi socialistët për punësimin e “patronazhistëve” në administratën e vendit. Versus.al








