
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi ka mbajtur fjalën e tij në foltore në seancën ku kërkohet shkarkimi i tij nga pozicioni që mori në shtator. Ai tha se ishte përpjekur të garantonte të drejtat e deputetëve të opozitës, por tha se këta të fundit me gjuhën e urrejtjes po jepnin mesazhe të gabuara edhe për të rinjtë.
“Rregullorja garanton të drejtat e deputetit, por ndalon keqpërdorimin e tyre. kjo duhet të jetë vija e kuqe. Nëse biem dakord për këtë, atëherë nuk do të përballemi me situata të shëmtuara që pamundësojnë zhvillimin e seancës. Në këtë mocion na ka sjellë rezistenca për të mos lejuar në pozicionin që unë mbaj, të guxojë të ndryshojë këtë sallë apo të shkurajojë personalizimin e diskursit politik. Le ta veshim këtë sallë me përgjegjësitë e vërteta. Kjo kulturë që kultivohet këtu vret shpresat e të rinjve dhe optimizmin.
Kjo kulturë e urrejtjes këtu ka pjesën e vetë edhe në dhunën në shoqëri. Parlamenti jo thjesht e prezanton shoqërinë, por edhe e formëson shoqërinë. Kur qytetarët shohin telefonin, na shohin ne të angazhuar në diskursin parlamentar. Ne u mësojmë atyre sesi duhet të sillemi kur nuk merremi vesh”- tha Peleshi.
Pasi të mbahet procesi i votimit, do të nisë raportimi i institucioneve për veprimtarinë e tyre gjatë vitit 2024. Versus.al

