
Kryeministri Edi Rama ka vijuar me takimet në kuadër të turit ‘’Punët për Shqipërinë’’, këtë herë me fermerët në Dibër ku foli për sfidat që i presin pasi vendi të anëtarësohet në Bashkimin Europian.
Sa i takon thirrjes për të krijuar një bashkim të fermerëve për të përballuar standartet e BE, Rama ironizoi ata të cilët e konsideronin këtë si rikthim të ‘’koperativave’’ gjatë kohës së komunizmit.
“Së pari njëherë, faleminderit shumë që keni ardhur edhe që interesoheni seriozisht për këtë fazë ku ne tani nuk jemi më të dëshiruar, por jemi të detyruar të hyjmë, që është faza e bashkimit. E bashkimit që bën fuqinë, jo ashtu siç thonë “çyrykët” që vijnë vërdallë për të hedhur baltë mbi çdo gjë, pra jo si kooperativat e dikurshme, por si kooperativat e Bashkimit Europian. Bashkimi Europian funksionon me kooperativa, por ndryshe nga kooperativat e komunizmit në kooperativat e Bashkimit Europian secili prodhon më vete dhe të gjithë shesin bashkë.
Kaq e thjeshtë është kjo punë. Duke shitur bashkë krijojnë një volum shumë më të madh, pra kanë një pozitë negociuese shumë më të fortë me blerësin, por nga ana tjetër harmonizojnë të gjithë veprimtarinë prodhuese pasi mbjellin me një farë, pastaj ndajnë kostot e punimit të tokës, ndajnë kostot e përkujdesit për prodhimin dhe pastaj grumbullojnë, ambalazhojnë dhe shesin. Shoqëri të Bashkuara Bujqësore, SHBB. Kështu janë quajtur në ligj për të shmangur atë frikën e madhe që vjen nga trauma e të shkuarës që po na mbledhin tani në kooperativë këta socialistët’’- tha Rama ndër të tjera.
Ndërsa më tej shtoi se duhet të përgatiten pasi për fermerët anëtarësimi në BE mund të jetë bekim, por edhe mallkim.
‘’Kështu që, jemi në dispozicion, duhet të vrapojmë sepse kjo historia e Bashkimit Europian për fermerët është ose bekim ose mallkim. Nëse ata që do jenë gati për ta përballuar atë situatë do jenë të bekuar sepse do kenë shumë më tepër mundësi. Ata që s’do jenë gati do ta kenë të pamundur të mbijetojnë, do mbyllen, sepse nuk do përballojnë dot kërkesat e tregut europian, siguria ushqimore, analizat, etj. Të gjitha këto bëhen po të jemi të bashkuar, po të jemi të ndarë nuk ke mundësi tek e tek të bësh gjithë këto procese, që të garantojnë sigurinë ushqimore”,- shtoi kreu i qeverisë. Versus.al

