
Seanca plenare në Kuvend është shoqëruar me debate të forta mes deputetit socialist Erion Braçe dhe kreut të PD-së Sali Berisha, lidhur me çmimin e naftës, taksat mbi hidrokarburet dhe modelin e tregut në Shqipëri.
Duke folur për transparencën e Bordit të Karburanteve dhe çmimet e larta të naftës, Braçe deklaroi se problemi kryesor qëndron te modeli i tregut të hidrokarbureve, që sipas tij është trashëguar nga qeverisja e mëparshme demokrate.
“Modeli i tregut mban çmimet e larta. Për shkak të këtij modeli ne kemi çmimin neto më të shtrenjtë në rajon. Askush nuk e merr kurajën të flasë për modelin e tregut në këtë sallë. Taksën e qarkullimit e keni sjellë ju brenda çmimit të hidrokarbureve, nuk e kemi sjellë ne”, tha Braçe nga foltorja.
Teksa Berisha ndërhynte nga vendi, deputeti socialist iu drejtua me tone të ashpra: “Kush po abuzon mo? Hajde këtu more fol ti që më thua mua që po mbroj interesat e tregtarëve? Hajde zëri me gojë ti se s’i ke zënë me gojë!”
Braçe vijoi më tej duke mbrojtur politikën fiskale të qeverisë për taksën e qarkullimit, duke thënë se tarifat më të ulëta favorizojnë konsumatorët e mëdhenj të karburantit.
“Po e kishit 7 lekë, është zgjedhja jonë që e kemi bërë 27. Është politikë ambientale dhe e drejtë. Ai që konsumon pak nuk mund të paguajë njësoj si ai që konsumon shumë. Me tarifat tuaja të ulëta keni favorizuar konsumatorët e mëdhenj”, u shpreh ai.
Deputeti socialist shtoi gjithashtu se modeli aktual i taksave mbi karburantet është ngritur mbi bazën e politikave të mëparshme të qeverisë Berisha.
“Ne kemi TVSH, e kemi pasur edhe kur drejtonit ju. Kemi akcizë, në kohën tuaj ka qenë me përqindje mbi çmimin e naftës. Me këmbënguljen e operatorëve dhe tonën, e çuat me tarifë fikse siç e kemi edhe sot”, deklaroi Braçe.
Nga ana tjetër, Berisha reagoi duke akuzuar mazhorancën se ka vendosur taksën më të lartë të naftës.
“Flas me letër apo pa letra është çështja ime. Ai që është i rrjedhur nuk i mban mend, çfarë t’i bëj mendjes sime. Ato që them unë janë të vërteta”, u përgjigj kreu i PD-së.
Debati vijoi edhe pasi Braçe zbriti nga foltorja. Deputeti socialist iu afrua vendit të Berishës, i cili po përpiqej t’i tregonte disa dokumente në tablet dhe celular. Diskutimi mes tyre zgjati disa minuta, ndërsa nga komunikimi i Braçes u kuptuan frazat: “Çfarë janë këto, më tregon mua ti?... Ja ku e ke.”
Pavarësisht përplasjes verbale, Berisha vazhdoi t’i tregonte dokumente në ekranin e tabletit dhe telefonit, ndërsa Braçe më pas u largua drejt vendit të tij në sallë./Versus.al

