
Tensionet politike në Shqipëri janë përshkallëzuar ndjeshëm këtë fundjavë, me akuza të forta që vijnë nga të dy kampet kryesore politike.
Nga Dibra, kryeministri Edi Rama akuzoi opozitën se në arenën ndërkombëtare “nxin” Shqipërinë dhe kërkon bllokimin e proceseve kyçe për vendin, duke theksuar se një sjellje e tillë nuk haset në asnjë vend tjetër.
Por reagimi i opozitës nuk vonoi. Në një mbledhje me drejtuesit e degëve në Tiranë, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, hodhi akuza të rënda ndaj qeverisë, duke e cilësuar atë si “bandën më të rrezikshme që ka pasur ndonjëherë Shqipëria”.
Berisha deklaroi se Rama po kërkon mbrojtje politike për të “vjedhur i qetë”, ndërsa e akuzoi për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë, duke iu referuar debatit për imunitetin e Belinda Balluku. Sipas tij, vendime të tilla janë marrë edhe përkundër paralajmërimeve të partnerëve ndërkombëtarë dhe rrezikojnë drejtpërdrejt procesin e integrimit europian.
“Shqipëria ndodhet në një situatë të paprecedent. Kryeministri ka hequr çdo maskë për të mbrojtur veten”, u shpreh Berisha, duke shtuar se qeverisja aktuale mbështetet në korrupsion dhe lobim ndërkombëtar.
Ai shkoi edhe më tej, duke akuzuar mazhorancën për lidhje me krimin dhe duke përdorur një gjuhë të ashpër ndaj përfaqësuesve të saj, ndërsa u bëri thirrje mbështetësve për mobilizim dhe qëndresë.
Në fjalën e tij, Berisha theksoi gjithashtu rolin e protestave të opozitës, të cilat sipas tij kanë “goditur në themel” qeverinë, pavarësisht presionit politik, mediatik dhe institucional.
Përplasja e fortë mes dy figurave kryesore të politikës shqiptare vjen në një moment delikat për vendin, ndërsa procesi i integrimit në Bashkimin Europian dhe zhvillimet e brendshme politike mbeten në qendër të debatit publik.

