
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka patur një bashkëbisedim me shqiptarët e Federatës Pan-Shqiptare VATRA në Neë York ku ka folur edhe lidhur me marrëdhënien e tij me kryeministrin Edi Rama e cila së fundmi duket tepër e tensionuar.
Lidhur me bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë, Kurti tha se është më i madh se kurrë më parë.
“Sa i përket bashkëpunimit mes dy qeverive tona, bërjes së marrëveshjeve të rejadhe zbatimit të atyre marrëveshjeve, asnjëherë më parë nuk kanë bashkëpunuar më shumë dy qeveritë sesa këto dy tonat, kryeministri Rama në mandatin që shkoi dhe unë në këtë mandatin që s’po shkoj. Për marrëveshje bilaterale shumë mirë është duke ecur që prej faktit që tashmë kemi një abetare. Para vitit 2021 në Shqipëri dhe Kosovë janë mësuar dy abetare të ndryshme për fëmijët në klasën e parë. Prej asaj e deri tek 26 vend kalimeve të reja kufitare që i kemi bërë për popullsinë atje dhe për çështjen e lejeve të punës e kështu me radhë janë 58 marrëveshje themelore”- deklaroi Kurti.
Por pavarësisht këtyre marrëveshjeve të bashkëpunimit, kryeministri tha se ka dallime me Ramën dhe partnerët ndërkombëtarë kur vjen puna tek qëndrimi ndaj Serbisë. Përkundër deklaratës së Ramës i cili i kërkonte Kosovës të mos merrej me Serbinë, Kurti tha se kjo e fundit merret me ta dhe jo e anasjellta. Megjithatë, shtoi se po mundohej të informonte dhe edukonte Ramën dhe ndërkombëtarët me informacione rreth situatës konkrete mes Kosovës dhe Serbisë.
“Tani, a ka dallime? Po ka dallime! Unë kam dallime me kryeministrin Rama, kam dallime jo rrallë edhe me partnerët tanë, por në përgjithësi mund të them që këto dallime kanë të bëjmë me qëndrimin karshi Beogradit zyrtar. Nuk mund ta fshehim këtë gjë. Unë përpiqem që t’i informoj dhe edukoj me të gjitha aftësitë e mia, por ato nuk janë të pakufijshme. Prandaj dallimet tona i kemi vetëm sa i përket qasjes ndaj Serbisë dhe më besoni, nuk jemi ne kundër serbëve, Serbia është kundër nesh. Serbia e cila është bërë një Bjellorusi e Ballkanit. Tani ky presidenti i Serbisë është sikur Lukashenko vetëm se në vend të mustaqeve ka syze”- shtoi kryeministri në detyrë i Kosovës i cili njoftoi dje se vendi do të shkonte në zgjedhje parlamentare. Versus.al

