
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestës së organizuar mbrëmjen e djeshme nga Partia Demokratike, gjatë së cilës disa punonjës policie u plagosën dhe u sulmuan me bombat artizanale.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama i quajti këto sulme si veprime të vetëm një partie politike që ushtron dhunë në botën demokratike, duke krahasuar situatën edhe me regjimin e Robert Mugabe në Zimbabwe.
Ai u shpreh: “Uroj që drejtësia të bëjë drejtësi për policët e plagosur dhe të ndëshkojë pa ngurrim bartësit e këtyre armëve me kapacitet vdekjeprurës!”
Kryeministri gjithashtu komentoi edhe për fatin politik të opozitës, duke paralajmëruar se çiklet e ardhshme politike do të përfundojnë me një disfatë të PD-së në zgjedhjet e ardhshme, ndërkohë që qeveria do të vazhdojë rrugën drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian.
Postimi i kryeministrit Rama
Këto janë bombat artizanale me të cilat janë sulmuar dhe djegur e plagosur mbrëmë punonjësit e policisë, nga e vetmja parti politike në botën demokratike që ushtron dhunë dhe e dyta në historinë e botës së tërë - pas asaj të famëkeqit Robert Mugabhe të Zimbabves - që i shkon mbrapa një tetëdhjetë e kusur vjeçari të damkosur e të lajthitur! Uroj që drejtësia të bëjë drejtësi për policët e plagosur dhe të ndëshkojë pa ngurrim bartësit e këtyre armëve me kapacitet vdekjeprurës! Sa për fatin politik të këtij cikli të ri jashtënxjerrjesh në bulevard, ai do të shkruhet si zakonisht në zgjedhjet e vitit të ardhshëm me një disfatë ende më shembullore se sa të mëparshmet, ndërkohë që ne do të vazhdojmë pa u ndalur rrugën drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian.Versus.al


