POLITIKË /

"PS i ka ngritur kokën çdo shqiptari", Rama në Lezhë: Nuk kanë lënë gjë pa thënë për familjen time

Kreu i qeverisë tha se nuk do t'u kundërpërgjigjet asnjëherë kundërshtarëve politikë me të njëjtën monedhë.

Shkruar nga Versus

"PS i ka ngritur kokën çdo shqiptari", Rama në

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në Lezhë në kuadër të përkujtimit të 35 vjetorit të krijimit të degës së PS në këtë qark. Pavarësisht çdo gjëje, Rama tha se PS në pushtet e ka kthyer Shqipërinë nga “delja e zezë” në një vend që respektohet.

“Ne kemi plot të meta, kemi bërë plot gabime. Kur vjen puna te pamja e madhe, është një pamje që flet vetë për ne. Flet vetë raporti me interesin kombëtar, me historinë dhe botën. Është PS në qeveri sot që ia ka ngritur kokën çdo shqiptari kudo që është. E ka bërë Shqipërinë nga delja e zezë një dekadë më parë në një vend që është më afër se kurrë realizimit të një ëndrre historike”, deklaroi Rama.

Sipas tij, opozita ka hedhur baltë ndaj familjarëve e fëmijëve të tij, por shtoi se nuk do të bëjë të njëjtën gjë për familjet e kundërshtarëve politikë.

“Socialistët që nuk iu bashkuan dhunës, piramidave dhe shkatërrimeve dhe nuk mishëruan një pushtet familjar mbi të tjerët, i bashkon diçka që është Europa në zemër dhe të qenit europian në mendje. Pikërisht pse ne jemi të tillë, jo vetëm nuk ua kemi kthyer kusurin të tjerëve me të njëjtat mjete, nuk kemi kërkuar rrugët e hakmarrjes, por kemi pranuar baltën që na ka sjellë çdo ditë fortuna që është ngritur kundër nesh. Baltë ndaj familjes sonë, ndaj fëmijëve tanë.

Keni parë ndonjëherë që tu kthehemi atyre duke përdorur librin e tyre të shtëpisë? Asnjëherë. Nuk kanë lënë gjë pa thënë pa familjen time, për fëmijët e mi, për të vdekurit në shtëpinë time, por kurrë nuk do dëgjoni që unë të flas për familjet e tij dhe të tyre dhe për të vdekurit në shtëpinë e tyre sepse kjo nuk është europiane, kjo nuk është njerëzore. Në fund është njerëzillëku që ndan PS-në me forcat e tjera politike”, tha më tej Rama. Versus.al

Poll