Kuvendi ka miratuar me 74 vota pro ligjin për inspektimet në Republikën e Shqipërisë. Votimit pro nga ana e deputetëve të mazhorancës iu bashkuan edhe deputetët e opozitës Flutura Açka dhe Arbi Agalliu.
Pavarësisht se presidenti i kishte tërhequr vëmendjen Kuvendit duke e cilësuar këtë si një ligj që shkakton konfuzion dhe sjell pasiguri, socialistët duket se nuk e kanë përfillur aspak këtë shqetësim të kreut të shtetit duke vijuar me procedurën e miratimit.
“Për këto 68 ligje nuk ka nismë ligjbërëse formale, nuk ka regjistrim të projektligjeve në programin e punës së Kuvendit, nuk ka konsultim publik, nuk ka procedurë të veçantë shqyrtimi, nuk ka mendim të shprehur nga ekzekutivi për secilin prej ligjeve, nuk ka analizë të kostos financiare dhe deklarim nga qeveria që pranon mbulimin e kostove financiare për secilin prej tyre si dhe nuk ka raporte të veçanta vlerësimi nga komisionet përgjegjëse të Kuvendit sipas fushave që mbulojnë 68 ligjet e sipërpërmendura”, thuhej në dekretin e Begajt ku kthehej mbrapsht ligji për inspektimet.
Kuvendi u përfshi sërish sot nga kaosi pavarësisht se përplasja mes deputetëve të përjashtuar dhe gardistëve u zhvillua jashtë godinës. Brenda sallës, deputetët e pranishëm bllokuan foltoren duke kërkuar që pjesë e seancës të jenë edhe deputetët e përjashtuar. Kjo zgjati për pak momente derisa edhe ata iu bashkuan grupit të deputetëve që ndodhej jashtë godinës. Versus.al








