
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me socialistët në njësinë nr.12 të Tiranës ku foli lidhur me ecurinë e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ai tha se synimi mbetet i njëjtë për mbylljen e negociatave në vitin 2027, por nënvizoi se sikur njëri shtet të thotë jo, atëherë anëtarësimi nuk ndodh.
‘’Mbyllja e negociatave me BE është mbyllja e hesapeve me katin e parë. Në katin e parë është Brukseli dhe nënpunësit e Brukselit që merren me reformat, ndjekin masat sesi ka ecur puna apo a janë bërë detyrat dhe pastaj në katin e dytë janë vendet anëtare. Janë 27 vende që ulen për të marrë vendime dhe mjafton një vend të thonë nuk duam dhe vendimi nuk merret. Ajo që është ndryshe sot është se të gjitha vendet në katin e dytë thonë se Shqipërinë duam ta marrim në BE. Prandaj kemi hapur kapitujt e negociatave për një muaj’’- tha Rama.
Më tej kreu i qeverisë bëri një deklaratë të fortë duke nënkuptuar se kushdo që nuk është anëtar i PS apo votues i kësaj force politike është kundër anëtarësimit në BE. Sipas tij, të gjithë janë kundër PS në këtë ‘betejë’.
‘’Por na duhet që të kuptojmë se jemi vetëm në këtë betejë. Jemi shumica, por jemi vetëm. Sepse gjithë të tjerët që nuk janë mbështetës apo anëtarë të PS janë kundër nesh. Dhe janë kaq të verbër saqë ngatërrojnë kundërshtinë me ne me interesin kombëtar dhe të mirën e përbashkët të vendit që është të shfrytëzojmë këtë moment dhe të hyjmë në BE. E kemi vënë Shqipërinë në një pozicion tjetër nga ai që ishte, kemi fituar besim të atyre që bënin sikur na respektonin. Kemi rritur ekonominë. Unë e di që sado të rritet ekonomia nuk është asnjëherë mjaft dhe njerëzit gjithmonë synojnë për më shumë. Por fakti është se pagat i kemi rritur në mënyrë sistematike. Tani kemi filluar të paguajmë edhe vjetërsinë në punë’’- shtoi kryeministri. Versus.al

