Kryeministri Edi Rama ka kërkuar pezullimin urgjent të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), duke akuzuar institucionin se po dëmton më shumë sesa po ndihmon sigurinë ushqimore në vend. Gjatë një takimi me fermerët, shefi i qeverisë u shpreh se është e domosdoshme ngritja e një komisioni të posaçëm që do të shqyrtojë dhe filtrojë burimet njerëzore brenda AKU-së.
“AKU duhet ndaluar me urgjencë që të vazhdojë të veprojë, sepse më shumë sesa mirë, bën dëm,” tha Rama. Ai shtoi se problem kryesor mbetet informaliteti në tregun ushqimor dhe mungesa e faturave për produktet që qarkullojnë, sidomos për ushqimet e freskëta.
"Strukturat e pafaturuara që mund të jenë të rrezikshme dhe që mund të sjellin pasoja katastrofike për shëndetin e njerëzve nuk mund të tolerohen. Tatimet duhet t’u kujtojnë bizneseve të vogla se, edhe pse janë të përjashtuara nga taksat, duhet të jenë aleatë në luftën kundër informalitetit që prek drejtpërdrejt shëndetin publik,” u shpreh ai.
Në mënyrë të veçantë, Rama përmendi tregtimin e qumështit dhe produkteve të tjera ushqimore pa fatura, duke theksuar se pas një faze sensibilizimi do të nisë sekuestroja e menjëhershme e çdo produkti të tillë në treg.
Deklaratat e Ramës vijnë në një kohë kur rritet shqetësimi për standardet e sigurisë ushqimore në vend, ndërsa efektiviteti i institucioneve përkatëse, përfshirë AKU-në, po vihet gjithnjë e më shumë në pikëpyetje. /Versus.al







