Në nisje të komisionit hetimor për koncesionet në Shëndetësi, para se ish-ministri Ilir Beqaj të hynte në sallë për të dëshmuar, pati një debat mes kryetares së komisionit Albana Vokshi dhe socialistit Plarent Ndreca.
Ky i fundit tha se afati i komisionit nuk mund të shtyhet më shumë pasi ishte shtyrë më herët dhe argumentoi se Ilir Beqaj është dëshmitari kryesor që do të pyetet.
“Zoti Beqaj është prezent, Daca po ashtu, ndërsa Fani ka dërguar një email ku thotë se është jashtë shtetit. Vlerësoj se për këtë dëshmi, duhet të diskutojmë sesi duhet ta marrim, por pasi të pyesim dy dëshmitarët që kemi
Për italianët, siç e paralajmërova edhe dje, nuk kemi ndonjë instrument juridik që t’i dëtyrojmë të vijnë. Sa i përket emrave të tjerë të cilët nuk janë të dakordësuar në listë dëshmitarësh, mendoj se nuk kemi pse të ripërsërisim të njëjtin debat që bëmë dje Për afatin e komisionit, nuk ka vend për ta shtyrë më pasi e kemi shtyrë dy herë. Kemi kryer hetim të plotë, kemi marrë pafund shkresa dhe dokumente, kemi thirrur një numër të madh dëshmitarësh. Sot kemi dëshmitarin kryesor, zotin Beqaj i cili do na japë të dhëna dhe informacione më shumë se kushdo tjetër”- u shpreh Ndreca.
Nga ana tjetër, Vokshi tha se biznesmenia Vilma Nushi duhet të pyetet si dëshmitare duke qenë se është përfituese direkte e 1.7 mln eurove.
“Të shkelet afati dhe të mos vijë Vilma Nushi e cila është përfituese direkte, kjo do të thotë se keni marrë porosi për të mbrojtur deri në fund Vilma Nushin. Edi Rama lëshoi edhe hajdutin 2 metrosh Ilir Beqajn për të mbrojtur Vilma Nushin. Nuk bëjmë hap pas, e konsiderojmë kyç dëshminë e Edi Ramës dhe Vilma Nushit”- tha Vokshi.
Të njëjtin qëndrim pati edhe deputeti Edmond Spaho i cili e cilësoi si kyçe praninë e Vilma Nushit dhe kryeministrit Edi Rama për t’u pyetur si dëshmitarë. Versus.al








