Kryeministri Edi Rama ndodhet në Bruksel që prej ditës së djeshme kur u bë me dije hapja e një tjetër grupkapitujsh negociatash për anëtarësim në BE. Sot Rama u takua me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutten.
Ky i fundit falenderoi Shqipërinë për kontributin që po jep në NATO nëpërmjet pranisë së forcave të saj tokësore në Letoni, Bullgari dhe Kosovë, përmes KFOR-it.
“Ju po bëni shumë sa i përket ndihmës për Ukrainën. Dhe jashtë Shqipërisë, jeni pjesë e forcave tokësore në Letoni dhe Bullgari. Jeni aktivë në Kosovë përmes KFOR-it. Pra, po jepni një kontribut shumë më të madh se sa madhësia juaj. Dhe jeni mjaft i gjatë. Por megjithatë, Shqipëria nuk është aleati më i madh, por po bën shumë. Dhe prandaj, unë dua sinqerisht t’ju falënderoj që jeni një aleat kaq i fortë. Ne e dimë që NATO mund të mbështetet gjithmonë te Shqipëria. Dhe ju e dini që Shqipëria mund të mbështetet gjithmonë te NATO. Kështu që edhe njëherë, faleminderit që erdhët për vizitë. Faleminderit që jeni një mik kaq i ngushtë personal. Dhe faleminderit për gjithçka që po bëni për NATO-n”, theksoi Rutte.
Ndërsa Rama nënvizoi se Shqipëria është e vendosur të bëjë më shumë për të kontribuuar në sigurinë e përbashkët të aleancës euroatlantike. Ai nënvizoi punën që po bëhet në bashkëpunim me NATO-n për ndërtimin e një porti të ri ushtarak në Porto Romano.
“Është e kuptueshme që gjithmonë është një kënaqësi, jo vetëm për shkak të miqësisë sonë të gjatë, por edhe për shkak të faktit të thjeshtë që gjithmonë ka diçka për të mësuar nga ju. Dhe jemi këtu për të rikonfirmuar gjithçka që thatë dhe më shumë. Ne duam të bëjmë më shumë. Dhe tani po hedhim bazat për rilindjen e industrisë sonë ushtarake.
Jemi shumë të interesuar të diskutojmë me ju për hapat e mëtejshëm që mund të ndërmarrim për të bërë të mundur ndërtimin e portit të ri ushtarak në Porto Romano. Dhe sigurisht, jemi këtu edhe për të folur bashkë se si mund të aksesojmë programin “Safe” të Bashkimit Evropian, i cili, në aspektin e sigurisë, shkon përtej kufijve të vendeve anëtare të BE-së dhe mund të jetë i dobishëm edhe për vendet e NATO-s në Europë”- u shpreh kreu i qeverisë. Versus.al







