Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka reaguar pas publikimit të raportit të OSBE-ODIHR mbi zgjedhjet e 11 majit. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social ‘X’, Celibashi shkruan se gjykimet e partive politike nuk kanë asnjë dobi dhe se duhet që këto të fundit të angazhohen seriozisht për të përfunduar një reformë domethënëse brenda një viti.
‘’Do të jetë shenjë serioziteti dhe përgjegjshmërie institucionale dhe politike e të gjithë aktorëve të lidhur me procesin zgjedhor, për të punuar mbi gjetjet dhe rekomandimet e Raportit Final të ODIHR-it për zgjedhjet e 11 majit, si pasqyrë e plotë e këtyre zgjedhjeve.
Gjykimet dhe vlerësimet mbi gjykimet dhe vlerësimet “gjykatësit të zgjedhjeve” nuk kanë ndonjë dobi. Partitë politike, veçanërisht ato parlamentare, duhet të angazhohen për të përfunduar një reformë domethënëse zgjedhore brenda një viti.
Sa i përket KQZ: Vlerësimet pozitive - thuajse për gjithçka që ky institucion bëri në lidhje me përgatitjen dhe administrimin e këtyre zgjedhjeve - janë shtysë për të bërë akoma më mirë atë që duhet bërë’’- shkruan Celibashi.
Gjatë ditës së sotme OSBE publikoi raportin e monitorimit të fushatës zgjedhore dhe të procesit zgjedhor në përgjithësi duke nënvizuar presionin e frikësimit ndaj zgjedhësve dhe përdorimin e administratës shtetërore nga ana e PS. Një vlerësim pozitiv u vu re përsa i takon menaxhimit të votës së diasporës që u zhvillua për herë të parë. Versus.al







