POLITIKË /

"Referendum", Lapaj nis mbledhjen e 50 mijë firmave: Pronat po vidhen me Paketën e Maleve dhe Investitorët Strategjikë

Shkruar nga Versus

"Referendum", Lapaj nis mbledhjen e 50 mijë firmave: Pronat po

Lëvizja “Shqipëria Bëhet” ka depozituar sot në KQZ një kërkesë për mbajtjen e procesit të mbledhjes së 50 mijë firmave në mënyrë që të mbahet një referendum lidhur me ligjet e Investitorëve Strategjikë dhe “Paketën e Maleve”.

Sipas kryetarit të kësaj lëvizje, Adriatik Lapajt, me anë të këtyr dy ligjeve, po krijohen konflikte në zona të ndryshme të vendit. Ai tha se duhet që përmes referendumit qytetarët shqiptarë të votojnë nëse janë dakord me këto dy ligje apo jo.

“Sot jemi para KQZ për të depozituar dy ligje që po i bëjnë dëm atdheut. Bëhet fjalë për ligjin për Paketën e Maleve dhe ligjin për Investimet Strategjike. Dy ligje, mbi të cilat po justifikohet marrja dhe vjedhja e pronës së qytetarëve të këtij vendi tashmë do të përballen me një proces të mbledhjes së 50 mijë firmave për ta çuar vendin në një referendum. Me 50 mijë firma qytetarët mund të kërkojnë mbajtjen e një referendumi. Në vazhdim do paraqitemi në çdo lagje të vendit dhe ftojmë qytetarët të na kontaktojnë për t’u bërë pjesë e këtij procesi në mënyrë që ta çojmë Shqipërinë në referendum”- u shpreh Lapaj.

Më tej, Lapaj shtoi se të dyja ligjet janë ndërtuar gabim duke ngjallur konflikte me tokat që u merren shumicës për t’ju dhënë sipas tij atyre që garantojnë vota për partinë në pushtet.

“Nëse gjithçka shkon në rregull, referendumi i bie të mbahet në vjeshtën e vitit të ardhshëm.  Shikojini çfarë ndodh nga jugu në veri, çdo konflikt bëhet për këto dy ligje sepse janë ndërtuar gabim pa logjikë. Nuk jemi kundër zhvillimit, por me këtë ligj po u merret toka shumicës dhe ia jep një pakice për të prodhuar projeksionim vote për patronazhistët e pushtetit”- nënvizoi Lapaj. Versus.al

Poll