Ditën e sotme në Tiranë u mbajt tryeza e diskutimit për performancën dhe integritetin e SPAK dhe garancitë për pavarësinë e institucioneve në drejtësisë. Të pranishëm kanë qenë edhe ambasadori i BE, Silvio Gonzato, kryeparlamentarja Elisa Spiropali dhe ministri i Drejtësisë Ulsi Manja.
Teksa u fol për Reformën në Drejtësi, Gonzato tha se ka ende shumë punë për t’u bërë në mënyrë që Shqipëria të përparojë në rrugën e procesit të integrimit.
“Vendimet gjyqësore kanë vlerësim dhe ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve. Pavarësia pa llogaridhënie rrit rrezikun për abuzime me pushtetin. Në raportet tona të zgjerimit siç kemi thënë dhe në atë të sundimit të ligjit, kemi thënë se arkitektura e reformës në drejtësi ofron drejtpeshim të duhur dhe të drejtë ndërmjet llogaridhënes dhe pavarësisë. Reforma në drejtësi ka dhënë atë që pritej nga Shqipëria dhe kontribut të madh për ecurinë e mrekullueshme drejt BE. Ka ende shumë punë për të bërë në zbatimin e kësaj reforme, dhe inkurajojmë institucionet përkatëse, në veçanti ato të pavarura të drejtësisë. Ajo që shikojmë sot është pjesë e procesit të anëtarësimit, monitorimi nga shoqëria civile. Të gjitha këto gjëra themelore në çdo sistem”, u shpreh Gonzato.
Ambasadori i BE bëri thirrje që të ndalet presioni ndaj institucioneve të drejtësisë, ndërsa u ndal edhe tek KLP që e përgëzoi për ecurinë e bërë në vlerësimin e prokurorëve.
“Dua që gotën ta shikoj gjysmë plot dhe jo gjysmë bosh se duhet të ruajmë këto hapa pozitivë që janë bërë tashmë. Së pari theksoj arritjet e KLP që kam pasur kënaqësi ta takoj në formatin e vetë të plotë kohët e fundit. Vlerësimi ynë tregon se KLP ka pasur ecuri domethënëse në krahasim me vitet e mëparshme për vlerësimin e prokurorëve. Edhe vlerësimet e prokurorëve bazohen te performanca e tyre. Këto tregues duhet të jenë objekt i shqyrtimeve të strukturuara dhe metodologjike. Psh kritere si efikasiteti i çështjeve, aftësitë menaxheriale dhe etika në punë mund të kërkojnë përshtatje dhe kemi besim se KLP do t’i bëjë këto rishikime. Por pjesa e llogaridhënies nuk mbetet në mënyrë ekskluzive mbi shpatullat e KLP, prandaj kemi inkurajuar dhe ILD dhe Shkollën e Magjistraturës. Kemi mirëpritur se takime të tilla janë bërë më të shpeshta duke shënuar hap të rëndësishëm përpara sa i takon llogaridhënies"- shtoi ambasadori i BE. Versus.al







