Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve i ka dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) një shkresë ku i kërkon identifikimin e numëruesve të cilët kanë marrë pjesë në grupet e numërimit të votave në Tiranë, Dibër, Durrës dhe Fier.
Kërkesa është që pas identifikimit të tyre të nisë një hetim administrative pasi u vërejt një mospërputhje e votave të mëparshme pas rinumërimit.
“Rinumërimi dhe rivlerësimi i votave në këto zona zgjedhore provoi në disa raste mospërputhje të theksuara midis tabelave te rezultatit të grupeve të numërimit nga KZAZ-të respektive dhe gjendjes faktike të fletëve te votimit në kuti gjatë procesit të rinumërimit në procedurën ankimore në KAS. Këto mospërputhje duhet të hetohen në një proces te mëtejshëm administrativ nga ana Juaj për te identifikuar anëtarët pjesë e Grupeve të Numërimit të Votave. Hetimi i mëtejshëm administrativ për rastet e sipërcituara është i një rëndësie të veçantë, sepse referuar rezultateve të nxjerra nga rinumërimi në procedurën ankimore në KAS, rezulton që, në një numër tabelash të rezultateve të numërimit dhe vlerësimit të votave, mospërputhjet e rezultateve të miratuara nga GNV-të, me ato që rezultojnë në fletët e votimit, janë të tilla që prima facie tregojnë se nga anëtarët e GNV-ve për raste të posaçme ka tjetërsim të rezultatit të votave”- thuhet në shkresën e KQZ.
Më tej theksohet se hetimi administrativ do të arrijë të nxjerrë përfundime mbi rastet kur duhet të ketë procedim penal në fushën e zgjedhjeve.
“Ky hetim administrativ ka rëndësi për të identifikuar dhe për të dalluar rastet që formojnë kundërvajtje administrative, rastet që ngrejnë dyshimin e arsyeshëm të bazuar në prova për kryerjen e veprave të caktuara penale në fushën e zgjedhjeve, nga rastet që nuk formojnë shkak për procedim”- shtohet në shkresë. Versus.al







