
Me 69 vota kundër dhe vetëm 29 pro, është rrëzuar kërkesa e Berishës për interpelancë urgjente me Edi Ramën, ndërsa Kuvendi u përfshi nga debatet në seancën e sotme plenare, të përshpejtuar për shkak se disa prej deputetëve do të nisen drejt Gjermanisë për të ndjekur Shqipërinë në kampionatin europian.
Deputeti Gazment Bardhi e cilësoi si “të turpshme” nëse arsyeja për përshpejtimin e seancës është bërë kampionati europian.
Ndërsa deputetja Albana Vokshi mori fjalën sa i takon rrëzimit të kërkesës së bërë nga Sali Berisha për interpelancë me kryeministrin Edi Rama lidhur me dyshimet për favorizime në tendera të familjarëve të këtij të fundit.
Vokshi akuzoi drejtuesen e seancës, Ermonela Felaj se frikësohej t’i përmendte emrin Berishës si personin që e ka kërkuar interpelancën urgjente duke përmendur vetëm emrat e deputetëve firmëtarë.
“Është kërkuar të prezantohet nga kryetari i PD, Sali Berisha. As emrin nuk guxojnë t’ja lexojnë kur është kërkuar interpelanca që të prezantohet nga ai. Po abuzoni me pozicionin që keni, s’mund të komentoni apo ndërhyni në asnjë fjalë të deputetëve të opozitës. Kush jeni ju që na thoni edhe për çfarë të flasim sot? Kemi të drejtën tonë kushtetuese, por as nuk ia lexoni as emrin Sali Berishës sepse iu tmerron. Kush është ai vendim gjykate që ndalon Berishën të ushtrojë tëdrejtën e deputetit. Nuk ka vendim. Jeni ju që nuk po e lejioni të përfaqësojë qindra mijëra qytetarë që kanë votuar PD dhe Sali Berishën. E kemi kërkuar këtë interpelancë 7 deputetë, të prezantohen abuzimet e kryeministrit që u ka dhënë dhjetëra milionë euro tendera familjarëve të tij”- tha Vokshi.
Nga ana tjetër, Felaj e arsyetoi rrëzimin e kërkesës me faktin që Berisha ndodhet në arrest shtëpie me vendim të GJKKO dhe e ka të pamundur të jetë në Kuvend.
Në vijim deputetja e PD, akuzoi Ramën se po ndërhyn për t’u dhënë tendera publikë kompanive të baxhanakut të tij si dhe ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj i cili është nën hetim për shpërdorim detyre në koncesionin e Sterilizimit.
“Kontratat sekrete që i ka përfituar Ilir Beqaj me baxhanakun e kryeministrit. Ilir Beqaj që ka një mal me akuza sot bredh i lirë në gjithë Tiranën duke prishur provat dhe vazhdon merr tendera. Po a është ky abuzim me taksat e qytetarëve? Kjo është arsyeja pse e kemi kërkuar këtë interpelancë. Por Lindita do të mbrojë jetën dhe privatësinë e familjes kryeministrore”- shtoi deputetja ndër të tjera. Versus.al








