POLITIKË /

Rusia kërkoi që diplomatët të largohen nga Kievi, ministri Hoxha: Shqipëria nuk intimidohet

Shkruar nga Versus

Rusia kërkoi që diplomatët të largohen nga Kievi, ministri

Rusia ka nisur një ofensivë të re ushtarake ndaj Ukrainës dhe së fundmi bëri thirrje që diplomatët e huaj të largohen nga Kievi për të shmangur çdo pasojë të mundshme nga bombardimet.

Lidhur me këtë thirrje ka reaguar edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha i cili e konsideroi thirrjen e Rusisë si “të papranueshme” dhe përpjekje për “intimidim”.

Ai tha se ambasadori shqiptar në Kiev nuk do të largohet pavarësisht sulmeve që prekën kompleksin e banimit ku ai ndodhej.

Postimi i Ferit Hoxhës:

Shqipëria e konsideron njoftimin e Rusisë ku u bën thirrje personelit diplomatik dhe qytetarëve të huaj të largohen nga Kievi përpara sulmeve të planifikuara si krejtësisht të papranueshëm.

Kërcënimi i ambasadave nuk është diplomaci; është intimidim. Ai përfaqëson një tjetër shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.

Shqipëria nuk do të tërhiqet. Ne mbetemi në Kiev. Ne qëndrojmë fort me Ukrainën. Dhe nuk do të intimidohemi.

Përgjigja për këtë luftë nuk mund të jetë më shumë luftë, më shumë krime ose sulme pa dallim kundër civilëve dhe infrastrukturës civile.

E vetmja rrugë përpara është t’i jepet fund një lufte që nuk duhej të kishte filluar kurrë dhe angazhim në negociata të vërteta dhe me mirëbesim për paqe.

Kjo iu përcoll shumë qartë ditën e sotme edhe Ambasadorit të Rusisë në Tiranë. Versus.al

Poll