
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka përcjellë një mesazh të fortë dhe të drejtpërdrejtë drejt drejtuesve të PD-së, Sali Berishës dhe Flamur Nokës, duke i ftuar që të hapin hapësirat për demokratët që, sipas tij, janë të gatshëm për përballje reale me qeverinë e Edi Ramës.
Gjatë fjalës së tij në takimin me strukturat demokrate, Salianji theksoi se problemi i Partisë Demokratike nuk është mungesa e mbështetjes, por mënyra se si ajo menaxhohet dhe përfaqësohet nga lidershipi. Ai hodhi poshtë pretendimet se sallat nuk mbushen dhe se demokratët janë tërhequr nga politika.
“Ne duhet t’i gjejmë gjithsëcilit pozicionin në PD. Nëse qajnë se nuk ka njerëz në salla, hapni krahun miq, se ja ku janë demokratët dhe ta marrin përpara qeverinë”, u shpreh Salianji.
Ai pranoi se opozita është e vonuar në reagimin e saj, por theksoi se kjo nuk vjen nga mungesa e guximit apo frika nga regjimi:
“Po, jemi të vonuar. Janë 13 vjet që humbim dhe nuk reagojmë sa duhet. Por demokratët nuk janë mësuar ta mbajnë kokën ulur. Demokratët duhet ta mbajnë kokën lart.”
Salianji theksoi se Partia Demokratike ka ende një bazë të fuqishme mbështetjeje, duke përmendur mbi 500 mijë mbështetës dhe interes në rritje për rrëzimin e qeverisë Rama.
“S’ka interes më të madh për mua se rrëzimi i Edi Ramës. Jam rritur në këtë parti. Ne e kemi mundur Ramën. Si mund të thuhet që jemi ne problem për PD-në, ndërkohë që ka të tjerë që Rama i dërrmon në çdo palë zgjedhje?”
Në fjalën e tij, Salianji bëri thirrje për një retorikë të re politike, duke theksuar se politika duhet t’u shërbejë qytetarëve për të frymëzuar besim dhe mobilizim.
“Askush nuk frymëzohet nga një politikë që nuk u shërben njerëzve. Prania juaj më emocionon sepse tregon se ka ende demokratë që nuk dorëzohen dhe nuk e pranojnë këtë degradim.”
Ish-kandidati për deputet Ndrec Pjetri ngriti shqetësime të forta për drejtimin e Partisë Demokratike dhe mënyrën se si ajo organizohet në fushata elektorale. Pjetri, i cili ka marrë pjesë në nëntë fushata zgjedhore, theksoi se problemi nuk qëndron te baza, por te lidershipi i partisë:
“Kush mban përgjegjësi për këtë situatë? Lidershipi. Ambasadat nuk shkelin në selinë tonë. Sheshet mbushen për Edi Ramën, ndërsa ne nuk arrijmë të mobilizojmë qytetarët.”
Ai mbylli fjalën me thirrjen për reflektim dhe ndryshim brenda partisë.

