
Ndërkohë që ka nisur procesi i numërimit të votave nga diaspora, zarfet e mbërritura nga Greqia janë pezulluar me vendim të KQZ. Ndërsa sot komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve u mblodh për të shqyrtuar kërkesën e PS për vijimin e numërimit të zarfeve të ardhura nga Greqia.
Përfaqësuesi ligjor i PD, Marash Logu nënvizoi problematikat e raportuara vazhdimisht prej Partisë Demokratike sa i takon votave të shqiptarëve në Greqi. Duke u shprehur se “nuk do numërojmë thasë me vota të patronazhistëve”, Logu hodhi dyshime mbi faktin se persona të paidentifikuar kanë tërhequr zarfet për emigrantë shqiptarë në Greqi pa dijeninë e këtyre të fundit.
“Kemi parë operatorë të tjerë të merren me administrimin dhe shpërndarjen e materialeve zgjedhore. Prokolli përmbante rregullin që për çdo zgjedhës do kishte një dakordësi me postën DHL për njoftimin e qytetarëve në momentin e mbërritjes së zarfit. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, qytetarët nuk janë njoftuar dhe janë detyruar të shkonin vetë të pyesnin në pikat e postës.
Zarfet duhej t’u dorëzoheshin vetëm zgjedhësve pasi këta të fundit t’u paraqisnin operatorëve dokumentin e identifikimit. Një gjë e tillë jo vetëm që nuk ka ndodhur, por janë marrë me dhjetëra zarfe nga persona të paidentifikuar. Ky proces ka cënuar garancinë dhe sigurinë e votës. Ne e kemi informuar KQZ-në. Kaluam në një praktikë krejtësisht të paparashikuar, pa kontratë pa ligj”- u shpreh Logu. Versus.al







