POLITIKË /

Seanca në Kushtetuese për rrogat e gjyqtarëve, reagon Rama: Respekte për SPAK-un që nuk iu bashkua kësaj marrëbabëzie!

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar procesin në Gjykatën Kushtetuese si një “farsë”, duke akuzuar dy shoqata gjyqtarësh se po kërkojnë rritje pagash në mënyrë të padrejtë. Ai theksoi se një vendim i tillë do të cenonte parimet kushtetuese dhe ndarjen e pushteteve.

Shkruar nga Versus

Seanca në Kushtetuese për rrogat e gjyqtarëve, reagon Rama:

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër përmes një postimi në Twitter lidhur me procesin që po zhvillohet sot në Gjykatën Kushtetuese, të cilin e ka cilësuar si një “farsë” dhe një skandal institucional.

Sipas Ramës, dy shoqata gjyqtarësh kanë kërkuar rritje pagash përmes gjykatës, duke tentuar të thyejnë piramidën shtetërore të pagave dhe të marrin kompetenca që, sipas tij, i takojnë qeverisë dhe parlamentit.

Kreu i qeverisë thekson se gjyqtarët janë tashmë kategoria më e lartpaguar në vend, falë mbështetjes së dhënë nga shumica qeverisëse në kuadër të Reformës në Drejtësi, dhe paralajmëron se një vendim i tillë do të ishte i papranueshëm nga pikëpamja logjike, morale, ligjore dhe kushtetuese.

Rama shprehu gjithashtu respekt për SPAK-un, duke theksuar se ky institucion nuk iu bashkua kërkesës për rritje pagash.

Postimi i plotë i kryeministrit Edi Rama: 

Sot Gjykata Kushtetuese po zhvillon (fatkeqësisht pa transmetim direkt për shkaqe teknike) farsën më të shëmtuar të imagjinueshme, e cila i është imponuar nga dy shoqata gjyqtarësh, të cilët duan të rrisin rrogat e tyre me gjyq, duke thyer piramidën shtetërore të pagave, ndërkohë që janë kategoria më e lartpaguar në Shqipëri, si rezultat i mbështetjes që kjo shumicë qeverisëse i dha për hir të Reformës në Drejtësi pushtetit gjyqësor! Tani këta duan që në përjetësi t’u jepet e drejta ta rrisin vetë rrogën sa herë rriten pagat e tjera, pra Shqipëria të jetë përgjithmonë i vetmi vend në botë ku gjykatësit paguhen më shumë se sa çdokush tjetër duke marrë kompetencat kushtetuese të qeverisë e të parlamentit për politikën e pagave - ky është një skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues, të cilin uroj që Gjykata Kushtetuese të mos e lejojë kurrësesi të kthehet në një turp kombëtar! Respekte për SPAK-un që nuk iu bashkua kësaj marrëbabëzie në emër të pavarësisë së gjyqësorit.Versus.al

Poll