Ndërkohë që deputeti socialist, Eduart Shalsi po fliste për atë që e konsideronte ‘rritje solide të ekonomisë” dhe “mirëadministrim”, kolegu i tij Erion Braçe i cili e mori fjalën pas Shalsit e solli këtë të fundit me këmbë në tokë duke nënvizuar se për të disatin vit radhazi, dy sektorët kryesorë të ekonomisë, industria dhe bujqësia kanë shënuar rënie.
Në fjalën e tij në foltoren e Kuvendit, Shalsi tha se inflacioni ishte nën kontroll dhe se borxhi publik kishte ndjekur trend rënës si dhe bizneset kishin më shumë të ardhura.
“Sot po diskutojmë një akt normativ, por në fakt sot po flasim për ekonominë dhe nuk po flasim me shpresë, por po flasim me fakte, me evidenca dhe dëgjova me shumë vëmendje deri më tani ata pak deputetë të opozitës të cilët nuk e kanë kuptuar që janë disi një trend pozitiv dhe të qëndrueshëm. Kemi një rritje ekonomike solide, 9-mujori i parë vinte në 3.2, mesa duket viti 2025 do të mbyllet me 3.8% rritje ekonomike. Inflacioni është në kontroll, jemi te niveli 2.2%, borxhi publik është trend rënës dhe është në shifrat rreth 54%, niveli më i ulët prej 15 vitesh”, tha Eduart Shalsi.
Ndërsa kolegu i tij, Erion Braçe përveç arritjeve, nënvizoi faktin se prej vitesh shteti shënon rënie në dy sektorët kryesorë të ekonomisë, bujqësinë dhe industrinë.
“Rezerva e vetme që unë kam është për bujqësinë, e cila vazhdon të numërojë vit pas viti në disatë me rënie, dhe sektori tjetër që është industria Duke referuar aktit normativ, ajo pjesë e treguesve të tij mbetet në përputhje me ligjin, sjellim faktin që buxheti nuk i bëhet barrë ekonomisë kombëtare. Kjo është shumë e rëndësishme veçanërisht për një qeveri, por ka të meta të cilat kërcasin edhe në këtë akt normative”- u shpreh Braçe. Versus.al


