POLITIKË /

SHBA pezulloi vizat e emigracionit për Shqipërinë, Spiropali: Disa udhëhumbur kanë vënë kujën për trillime politike

Pavarësisht se një vendim i tillë nuk kishte në listë Serbinë, Spiropali tha se bëhet fjalë për politika të SHBA dhe se nuk shënjestrohet vetëm Shqipëria.

Shkruar nga Versus
SHBA pezulloi vizat e emigracionit për Shqipërinë, Spiropali:
Spiropali në udhëtim me tren drejt Kievit

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ka reaguar përsa i takon vendimit të publikuar dje nga Departamenti Amerikan i Shtetit që e listonte Shqipërinë mes 75 vendeve për të cilat pezullohet shqyrtimi i aplikimit të vizave sa i takon bashkimit familjar, emigracionit, punësimit dhe lotarisë amerikane.

Duke i quajtur “udhëhumbur” komentuesit që e cilësonin këtë vendim si futje të Shqipërisë në “listën e zezë”, Spiropali tha se shqiptarët mund të udhëtojnë lirshëm drejt SHBA për qëllime turistike, studimi, apo biznesi.

Pavarësisht se Serbia ishte jashtë këtij vendimi për pezullim, Spiropali e konsideroi këtë lëvizje të DASH si një politikë të përgjithshme që nuk shënjestron Shqipërinë.

“Kam ndjekur me vëmendje gjatë gjithë mbrëmjes së djeshme rrebeshin e spekulimeve politike mbi çështjen e vizave drejt SHBA-ve. Ndërkohë që Shqipëria sot respektohet e çmohet kudo dhe është me aktive se kurrë, disa udhëhumbur në Tiranë kanë vënë kujën se sipas tyre, SHBA-të kanë ngrirë e bllokuar vizat për shqiptarët. fabula e tyre e çartun shkon aq larg sa deklarojnë se partnerët tanë strategjikë e kanë futur Shqipërinë në listën e zezë. E paimagjinueshme! Në fakt të dyja këto janë fund e krye trillime politike. E vërteta është se vendimi i fundit i SHBA nuk ka bllokuar lëvizjen dhe udhëtimin e qytetarëve shqiptarë drejt SHBA-së, kurrsesi. Nuk janë bllokuar as vizat për qëllime turistike, studentët, biznesi, apo eventet e lidhura me punën.

Askush nuk ndalohet të udhëtojë si turist apo zyrtar, por rregullat e qëndrimit në SHBA do të ndryshojnë në linjë me politikën e tyre të emigracionit. Pra nuk bëhet fjalë për një vendim që targeton Shqipërinë, por për një rishqyrtim lidhur me procesimin e vizave për qëllime emigrimi në SHBA për 75 vende, përfshirë 5 vende të Ballkanit Perëndimor”- tha Spiropali. Versus.al

 
Poll