POLITIKË /

Shembjet në Theth, Rama: S’i premë në besë! Shumë prej tyre s’janë as banorë, aksioni do vazhdojë

Kreu i qeverisë mohoi zërat se hapësira në Theth po lirohet për t'ju dhënë ndonjë oligarku për të ndërtuar resort pasi tha se në atë zonë kategorikisht nuk duhet të ketë ndërtime.

Shkruar nga Versus

Shembjet në Theth, Rama: S’i premë në besë! Shumë

Kryeministri Edi Rama e nisi fjalën e tij në takimin me deputetët e sapozgjedhur në Tiranë me aksionin që po zhvillohet në Theth me shembjet e ndërtimeve pa leje. Fillimisht ai tha se nuk bëhet fjalë për njerëz të shkretë, por për persona që nuk janë as banorë të Thethit dhe kanë ndërtuar për të nxjerrë fitime dhe jo për të banuar.

“Së pari kam vënë re që ka një teori shumë për të ardhur keq lidhur me kush e ka fajin. Duket sikur një pjesë e atyre që komentojnë përpiqen që t’ja lënë fajin strukturave të shtetit. Nga një anë kemi disa njerëz të shkretë të cilët kanë hequr bukën e gojës për të ndërtuar disa banesa dhe nga ana tjetër kemi një shtet që i ka lënë ta bëjnë këtë në shkelje të ligjit dhe është kujtuar pastaj që t’i godasë. Këtu nuk bëhet fjalë për disa të shkretë, por për njerëz që janë ngjitur deri atje dhe në një pjesë të konsiderueshme nuk janë banorë të këtij vendi”- tha Rama.

Më tej ai tha se ndryshe nga sa po proklamohet, shteti nuk është fajtor për mungesën e veprimit në parandalimin e këtyre ndërtimeve pa leje në zemër të Thethit.

“Në rastin flagrant që u bë shkak i këtij procesi, bëhet fjalë për individë që as nuk janë shfaqur që të pretendojnë çfarëdo qoftë. Policia po merret me hetimin sesi ka ndodhur dhe kush është mbrapa pushtimit kriminal të qendrës së Thethit që është kartolina e njohur e Thethit. Bëhet fjalë për ndërtime të cilat nuk janë për të futur kokën, por janë për qëllime fitimi. Nuk di të ketë ndonjë teori që e amniston shkelësin e ligjit duke ia ngarkuar fajin strukturave të shtetit nëse nuk e parandalojnë shkeljen e ligjit apo nuk e kapin në sekondën kur vazhdon të bëjë shkeljen”- shtoi kreu i qeverisë.

Teksa foli edhe për përgjegjësinë e strukturave shtetërore tha se premtimi që kishte bërë ai në Theth ishte për legalizimin e banesave të të parëve. Nuk la pa përmendur as Kuvendin e djeshëm të burrave të mbledhur në Theth, duke thënë se procesi i prishjes së ndërtimeve do të vazhdojë.

“Strukturat kanë përgjegjësinë e tyre. Mbetet për të parë se çfarë përgjegjësie do marrë KLP lidhur me zonjën Gjeli e cila nuk ka pranuar as të fillojë hetimin bazuar në denoncimet e bëra. Dua të them që në Theth janë goditur 40 subjekte që në një sërë rastesh kanë patur më shumë sesa një ngrehinë. Policia e shtetit ka një numër të konsiderueshëm të bëra në prokurori për këto subjekte dhe prokuroria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim.

Ishte edhe një prift dje dhe u habita sesi një njeri i Zotit kishte hyrë në këtë histori duke folur për joshje për rrena etj etj dhe pastaj i pramë në besë. Ne nuk kemi prerë në besë askënd. Kemi shkuar në Theth me kryebashkiakun dhe me Kadastrën dhe që prej se kemi shkuar dhe kemi premtuar legalizimin e të gjithë shtëpive të vjetra në Theth, e kemi përmbyllur atë process me rreth 300 legalizime që ata i disponojnë dhe kanë pronën e tyre. Premtimi ynë ka qenë do legalizojmë pronat e gjyshërve. Nuk ka qenë që na jepni votën ju dhe ndërtoni pa leje.  Të gjitha këto ndërtime të prishura janë ndërtime të bëra në muajt e fundit, jo të kohës kur ishim aty. Ka patur një turravrap të madh dhe e përsëris edhe nga individë që nuk kanë lidhje fare me Thethin”- deklaroi kryeministri. Versus.al

Poll