
Demokrati Ervin Salianji i është përgjigjur deklaratës së sotme të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berishës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Salianji shkruan se askush nuk është mbi Kushtetutën e Partisë Demokratike, të miratuar nga anëtarësia me votë. Duke shtuar se Berisha ka mungesë serioziteti ndaj demokratëve dhe kjo është një gafë. Salianji ka njoftuar takim me demokratët që do të zhvillohet ditën e diel në Lezhë.
Postimi i plotë:
Askush nuk është mbi Kushtetutën e Partisë Demokratike, të miratuar nga anëtarësia me votë! Mungesa e seriozitetit ndaj demokratëve të shumtë që mendojnë ndryshe është një gafë e rëndë. Të gjithë pjesëmarrësit në takimet e mia janë demokrat 24 karat. Meritojnë vetëm respekt dhe mirënjohje.
Partia Demokratike ka nevojë për qartësi. Partia Demokratike ka nevojë të bëhet fituese.
Këtë ja u ka borxh demokratëve, pas 13 vitesh opozitë. Kjo është pritshmëria e të gjithë shqiptarëve që duan dhe presin rotacionin.
Bashkimi i demokratëve dhe i gjithë opozitës rreth saj duhet të jetë përpjekja më serioze për ta bërë Partinë Demokratike fituese.
Ky qëllim është i parashikuar qartë në statut dhe më përgjegjësi në rast humbjeje dhe privilegje në rast fitoreje. Kushtetuta e demokratëve nuk ka as “vetpërjashtime”.
Do vazhdoj të përfaqësoj pa ndalim dhe me gjithë sa kam shqetësimin real të demokratëve! Vullnetin e tyre për bashkim, për dinjitet dhe për një Parti Demokratike fituese.
Shihemi të Dielën në Lezhë.

