
Përplasjet brenda Partisë Demokratike duket se janë rikthyer pas rezultatit zhgënjyes të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Pas përplasjes me kandidaten fituese të PD në listën e hapur Jorida Tabakun, kandidatja humbëse Adriana Kalaja ka shfaqur pakënaqësi edhe ndaj kreut të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi.
Nëpërmjet një ripostimi të bërë në facebook ku kujtonte protestën e 8 janarit 2022 dhe përplasjen fizike mes demokratëve mbështetës të Berishës dhe atyre të Bashës, Kalaja ka lënë të kuptohet se nuk e harron atë se çfarë ndodhi. Ndërsa fotoja ku Bardhi shfaqet krah policëve që ndërhynë më pas, ishte publikuar asokohe me mbishkrimin se ajo datë nuk duhej të harrohej së bashku me personat përgjegjës që sipas saj ishin palë me Ramën.
“Jam pro bashkimit por jo me plehrat shërbëtorë të regjimit të Edvin Ramës. Këta që janë bashkë me Edvin Ramën dhe kundra demokratëve, besoni se do ngrenë zërin për të drejtat e atyre që i dhanë mandatin? Demokratë, nuk harrohet 8 janari”, shkruan Kalaja në postimin e ripostuar.

Përplasja e demokratëve më 8 janar 2022
E gjithë retorika e përplasjes u krijua pasi Sali Berisha me organizimin e foltoreve në të gjithë vendin dhe organizimin e zgjedhjeve ku u shpall fitues pretendonte se duhet të ishte ai në krye të PD dhe jo Lulzim Basha. Ky i fundit nuk i njohu zgjedhjet, ndërsa kishte pas vetes pjesën më të madhe të grupit parlamentar të cilët atë ditë ndodheshin në selinë e PD.
Basha fortifikoi dyert dhe të gjitha hyrjet e selisë ndërsa pati brenda godinës edhe njerëz të cilët u përgjigjën me dhunë ndaj mbështetësve të Berishës të cilët tentuan të hynin brenda. Mes dy palëve pati përplasje me sende të forta e madje edhe përdorim të gazit lotsjellës. U desh ndërhyrja e policisë për të qetësuar situatën, ndërsa 8 janari u shënua si një njollë “turpi” mes demokratëve të cilët u përplasën fizikisht me njëri-tjetrin. Versus.al







