Presidenti Bajram Begaj ka shpallur vakancën për zëvendësimin e gjyqtares Sonila Bejtja në Gjykatën Kushtetuese pasi mandati i kësaj të fundit ka mbaruar më 25 prill 2025. Kjo vakancë ishte njoftuar nga presidenti që në janar ndërsa së fundmi iu caktua gjykatës të përcaktonte saktësisht se kur kishte përfunduar mandati i Bejtjas.
Në njoftimin e shpërndarë nga presidenca, ftohet çdo person i interesuar që plotëson kushtet dhe kriteret e parashikuara të marrë pjesë në këtë procedurë të konkurrimit të hapur publik për vakancën për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.
Kujtojmë se Bejtja është relatore në çështjen e Erion Veliajt i cili ka ankimuar vendimin për shkarkimin e tij nga posti i kryebashkiakut.
Njoftimi i plotë i Presidencës:
Presidenti i Republikës, pasi u njoh me njoftimin e Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, nr. 820 Prot., datë 24.10.2025, përmes të cilit bëhet me dije se Gjykata Kushtetuese me vendimin nr. 65, datë 24.10.2025, ka vendosur: “Deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, zonjës Sonila Bejtja, në datën 25.4.2025”, duke u konstatuar kështu ligjërisht fakti se në datën 25.4.2025 në Gjykatën Kushtetuese është krijuar vakancë.
Në mbështetje të neneve 93, 125, 127, pika 1, shkronja “b” të Kushtetutës, si dhe të neneve 7, 7/a, 7/b të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”, Presidenti i Republikës, me cilësinë e organit të emërtesës, dhe me qëllim plotësimin e vakancës së krijuar në Gjykatën Kushtetuese në datën 25.4.2025, me Dekretin nr. 387, datë 31.10.2025, ka miratuar:
Shpalljen e procedurës së aplikimit për emërim gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, me qëllim plotësimin e vakancës së krijuar në datën 25.4.2025.
Presidenti i Republikës fton:
Çdo person të interesuar që plotëson kushtet dhe kriteret e parashikuara në Kushtetutë, nenin 7/a të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”, të marrë pjesë në këtë procedurë të konkurrimit të hapur publik për vakancën e mësipërme për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese dhe të paraqesë pranë Institucionit të Presidentit të Republikës:
Kërkesën për shprehjen e interesit për të kandiduar për vendin vakant të shpallur;
Jetëshkrimin me të dhënat e plota të kontaktit (adresë, numër telefoni, e-mail);
Fotokopje të kartës së identitetit;Dokumentacionin shoqërues nëpërmjet të cilit vërteton përmbushjen e kushteve dhe kritereve të përcaktuara në nenin 7/a të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”;
Formularin e vetëdeklarimit të plotësuar dhe nënshkruar sipas përcaktimeve të ligjit nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Formulari i vetëdeklarimit është i publikuar në faqen kryesore të Institucionit të Presidentit të Republikës;
Formularin e aplikimit të plotësuar “Për informim përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta”, në përputhje me parashikimet ligjore të nenit 29 të ligjit nr. 45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”. Ky formular është i publikuar në faqen kryesore të Institucionit të Presidentit të Republikës;
Listën e dokumentacionit që dorëzohet bashkëlidhur kërkesës së nënshkruar nga aplikuesi.
Për lehtësinë e të gjithë aplikuesve, me qëllim plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm, më poshtë gjeni të botuar përmbajtjen e nenit 125, pikat 4 dhe 5 të Kushtetutës dhe nenin 7/a të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”, ku parashikohen kushtet dhe kriteret për emërimin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.

