
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Estoni ku zhvilloi edhe një konferencë për shtyp me homologun e tij Kristen Michal. Me batutë, Rama i tha se gjatë samitit të zhvilluar në Tiranë ishte ditë me shi për shkak të pranisë së kryeministrit britanik Keir Starmer, ndërsa tha se sot në Estoni ishte diell sepse e kishte sjellë ai nga Shqipëria.
“Së pari më lejoni që të saktësoj pak gjërat. Kur erdhët në Tiranë, ishte ditë me shi. Ishte gjithmonë ngrohtë, por ishte ditë me shi, sepse Keir Starmer e solli nga Londra. Sot është ditë me diell në Talin, sepse e solla nga Tirana’’- tha Rama.
Ndërsa shtoi më tej se Shqipëria ka shumë për të mësuar nga një vend i vogël si Estonia që është anëtare e BE dhe ka arritur zhvillime të mëdha në sistemin arsimor dhe fusha të ndryshme.
‘’Më lini t’ju them, me ju jo vetëm që kërkojmë bashkëpunim, por kërkojmë atë udhërrëfyes estonez. Jam shumë mirënjohës kur më thatë se jeni gati të mirëprisni njerëzit tanë, të mësojnë prej jush dhe nga ajo që ju po bëni në sektorin arsimor, duke nisur nga fëmijët për t’i dhënë atyre instrumentet që ta çojnë vendin në një tjetër nivel.
Ne duam të sigurohemi që edhe rrugëtimi ynë drejt 2030 të shtrohet me të njëjtin novacion që e ka bërë Estoninë një markë globale. Ju përmendët ministren e IA, jemi shumë të lumtur t’ju a prezantojmë. Nga ana tjetër, më drejtë përmendët që Estonia dhe Shqipëria janë shumë të bashkuara, jo vetëm nga NATO, por nga një refuzim i palëkundur për të mos lënë fuqitë e huaja që të minojnë mënyrën tonë të jetesës’- u shpreh Rama më tej duke u bërë thirrje estonezëve që të vizitojnë Shqipërinë edhe gjatë dimrit. Versus.al

