Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha mbajti të njëjtin qëndrim si Flamur Noka lidhur me takimin që ish-deputeti Ervin Salianji zhvilloi mbrëmë me demokratët në Elbasan. Berisha nënvizoi se vija e kuqe është bashkëpunimi me personazhe të krimit dhe tha se Salianji e kishte shkelur këtë.
Sipas tij, i shumëkërkuari Suel Çela ka qenë organizatori në hije i takimit në Elbasan, ndërsa paralajmëroi edhe mundësinë e përjashtimit të Salianjit nga partia duke e akuzuar këtë të fundit se ka bashkëpunuar me grupin më të fuqishëm në Elbasan.
“Në karrierën time edhe në ditët më të vështira kurrë unë nuk kam bërë dhe nuk bëj kompromis me krimin. Nëse e ndjek këtë betejë, pavarësisht nga çmimi që ka patur, kam bindjen më të thellë se ka qenë dhe është vendimi më i drejtë. Vija e kuqe e Sali Berishës është bashkëpunimi me krimin. Që një anëtar i kryesisë dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të organizojë me Suel Çelën, kriminelin më të rrezikshëm të Elbasanit dhe kreun e një prej karteleve më të fuqishme në Evropë, të organizojë takim, kjo është absolutisht e papranueshme dhe kurrë nuk mund të kalojë. Ai që ndërmerr një veprim të tillë, kalon vijën e kuqe dhe është përgjegjës për veten e tij. Nuk mund të pranojmë asnjë formë bashkëpunimi me kartelet e drogës dhe organizatat kriminale. Kemi patur disa informacione të cilat pohojnë se Suel Çela ka qenë organizatori kryesor në hije i takimit. Përshëndes të gjithë drejtuesit e strukturave të PD që bojkotuan me neveri një takim të tillë”- tha Berisha. Versus.al


