
Drejtuesi politik i PD në qarkun e Fierit, Gazment Bardhi mbrëmjen e djeshme doli në një konferencë për mediat duke reaguar lidhur me shoqërimin në polici të kandidatit Fation Semanjaku.
Pasi kandidati për deputet u shoqërua nga polici për shkak se nuk pranoi të hiqte banderolën në qendër të qytetit, Bardhi e konsideroi këtë si pengim të ushtrimit të fushatës elektorale.
Ai tha se fillimisht kanë qenë policët bashkiakë ata që e kanë tentuar një gjë të tillë dhe më pas Semanjaku është shoqëruar me dhunë në komisariat.
“Jam sot në këtë komunikim në orë të vonë për të dënuar me forcë shoqërimin me dhunë nga policia e Shtetit të kandidatit për deputet të ‘PD-ASHM’ zotit Fatjon Semanjku. Ky akt i paprecedentë është mirëfilltazi një pengim i kandidatëve për të bërë të qetë fushatën në mënyrën e tyre. Kandidati është penguar fillimisht nga banditë me uniformë të të korruptuarit në krye të bashkisë së Fierit, Armando Subashi që të ushtrojë veprimtarinë e tij elektorale përmes skemave që janë formë demokratike. Më pas me një urdhër të paligjshëm dhe një ndalimi të paligjshëm nga Policia e Shtetit është shoqëruar me dhunë për të ushtruar të drejtën e tij për të bërë fushatë”- u shpreh Bardhi mes të tjerash duke bërë me dije se ka depozituar edhe një kallëzim penal ndaj kryebashkiakut Armando Subashi. Versus.al








