Javën e ardhshme, Shqipëria pritet të bëhet shteti i dytë në botë që do ta shpallë Iranin “shtet financues të terrorizmit”. Ndërkohë që vendet e BE po mbajnë një qëndrim thuajse indiferent duke mos u përfshirë në konflikt, socialistët kanë zgjedhur që të dorëzojnë në Kuvend projekt rezolutën e cilësuar më sipër.
SHBA-të e kanë shpallur Iranin si shtet që financon terrorizmin në vitin 1984. Projekt rezoluta e dorëzuar në Kuvend nga socialistët sanksionon se “Kuvendi i Shqipërisë shpall Republikën Islamike të Iranit si Shtet Sponsor të Terrorizmit dhe si shtet që përdor mjete terroriste në ndjekje të objektivave të tij të politikës së jashtme”.
Këtë gjë e paralajmëroi më herët edhe kryeministri Edi Rama gjatë një konference për mediat.
"Të shpallë menjëherë Gardën Revolucionare Islamike (IRGC), si organizatë terroriste. Të shpallë gjithashtu Hezbollah si një organizatë terroriste proxy të Republikës Islamike të Iranit.", thuhet në pr.rezolutë. Ky draft dënon gjithashtu sulmet kibernetik që hakerat iranianë kanë kryer ndaj institucioneve shqiptare. Versus.al

