POLITIKË /

“Vetëm 1.898 votues” / Salianji publikon shifrat dhe sulmon Berishën: Referendum farsë, demokratët e braktisën

Shkruar nga Versus

“Vetëm 1.898 votues” / Salianji publikon shifrat dhe sulmon
Nga Tirana në Gjirokastër, ish-deputeti thotë se pjesëmarrja në votimin për kreun e PD-së është minimale dhe akuzon për manipulim politik

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka publikuar shifrat që sipas tij tregojnë pjesëmarrjen reale në votimin për kreun e PD-së, ku kandidat i vetëm është Sali Berisha.

Në një reagim të fortë në rrjetet sociale, Salianji deklaron se deri në orën 13:00 kanë votuar vetëm 1.898 anëtarë në të gjithë Shqipërinë, duke e cilësuar procesin një “farsë të braktisur masivisht nga demokratët”.

Postimi është shoqëruar edhe me një “meme” ironizuese, ku shfaqet një mjet me tre rrota i braktisur në rrugë, me mbishkrimin “referen-dum-dum”.

Salianji akuzon drejtuesit aktualë të PD-së për manipulim të shifrave dhe për uzurpim të partisë për interesa personale.

“121 mijë anëtarë ka pasur Partia Demokratike, ndërsa sot uzurpatori pretendon 51 mijë. Kjo nuk është garë, është farsë me pjesëmarrje qesharake”, shkruan ai.

Sipas shifrave të publikuara prej tij, në Tiranë kanë votuar 430 demokratë, në Durrës 178, në Shkodër 191, në Lezhë 233, ndërsa në qarqe si Gjirokastra dhe Korça pjesëmarrja rezulton shumë më e ulët.

Në fund të reagimit, Salianji thekson se demokratët “folën qartë” përmes bojkotit të procesit dhe se nuk pranojnë, sipas tij, “pronësimin e Partisë Demokratike nga një individ”.

Poll