Deputeti i Partisë Socialiste, Ermal Pacaj, ka dalë publikisht në mbrojtje të banorëve të Rrjollit, të cilët prej javësh protestojnë kundër ndërtimit të resortit turistik “Blue Borgo” në tokat e tyre.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Pacaj ka publikuar pamje nga një incident i ndodhur një ditë më parë, ku një i ri u dhunua brutalisht me grushta dhe shkelma nga një punonjës sigurie.
Deputeti e ka dënuar këtë akt, duke theksuar se dhuna nuk mund të jetë kurrë një zgjidhje dhe se çdo konflikt duhet të trajtohet përmes drejtësisë dhe institucioneve legjitime.
“Absolutisht e tepruar! Dënoj dhe e përçmoj goditjen kundër banorit dhe banorëve të Rrjollit. Akt i papranueshëm, vandal dhe bandit. Këto probleme nuk zgjidhen me dhunë, por me drejtësi dhe institucione legjitime, duke respektuar të drejtat kushtetuese”, shkruan Pacaj.
Protestat e banorëve të zonës Baks-Rrjoll kundër ndërtimit të resortit kanë vijuar për rreth një muaj, me përplasje të herëpashershme që në disa raste kanë degjeneruar në dhunë fizike.
Banorët kanë kërkuar ndalimin e menjëhershëm të punimeve, duke shprehur vendosmërinë për të mbrojtur çdo pjesë të tokës së tyre./Versus.al

